Vetëvendosjes i bashkohen dy deputetë Lumnije Morina dhe Emin Gërbeshi

Vetëvendosjes i bashkohen dy deputetë Lumnije Morina dhe Emin Gërbeshi

Vetëvendosjes i bashkohen dy deputetë Lumnije Morina dhe Emin Gërbeshi Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje sot i janë bashkuar dy deputetë të Kuvendit të Kosovës: Emin Gërbeshi dhe Lumnije Morina, bëri me dije kjo Lëvizje përmes një njoftimi për medie.

Sipas njoftimit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti iu dëshiroi mirëseardhjen në këtë familje. “Gjatë këtyre tri vjetë GP i Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur komunikim të shpeshtë me znj. Morina dhe z. Gërbeshi do të jemi bashkë në afirmimin e konceptit të Vetëvendosjes dhe në përpjekjet e përbashkëta për zhvillim shoqëror dhe ekonomik të shtetit e të shoqërisë, të popullit e të kombit tonë, të të gjithë qytetarëve, pa dallim e pa diskriminim” citon njoftimi fjalët e Kurtit.

Deputetja, Lumnije Morina, në fjalën e saj i theksoi arsyet që e shtyn të largohet nga PDK-ja. Ajo përmendi zgjedhjet e fundit jodemokratike partiake në PDK, të cilat u përcollën nga fryma e një lufte të egër, të vrazhdë dhe të paskrupullt, dhe vendimmarrjen autoritare-antidemokratike brenda partisë, jashtë organeve të partisë, në rrethe të ngushta individësh dhe grupe e klane individësh, duke krijuar raporte e marrëdhënie të urdhërdhënësve dhe zbatuesve, të shefave dhe pasuesve…

Po ashtu përmendi ndërrimin joserioz të profilizimit politik të partisë, degradimin e vazhdueshëm të qeverisjes lokale dhe qendrore të PDK, si dhe përkushtimin dhe angazhimin e pamjaftueshëm, të munguar, për zhvillimin ekonomik të vendit dhe kujdesin social për kategoritë më të prekura të shoqërisë, përkushtimin dhe angazhimin e pamjaftueshëm, të munguar, për respektimin dhe forcimin e rendit dhe ligjit, shtetit ligjor dhe institucioneve shtetërore, si dhe përkushtimin dhe angazhimin e pamjaftueshëm, të munguar, për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, thuhet në njoftim. Emin Gërbeshi ka vepruar si deputet i pavarur.