Vetëvendosja skuqi Fushë Kosovën

Vetëvendosja skuqi Fushë Kosovën

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra e Fushë Kosovës, ka larguar flamujt e vendosur nga Komuna në rrethrrotullimin e kësaj qyteze, për t’i zëvendësuar me gjashtë flamuj gjigantë, duke simbolizuar kështu gjashtë trojet e ndara të shtetit shqiptar.

Sipas Alket Zeqirit, sekretar për aktivitete në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosovë, flamujt e vendosur nga zyrtarët e kësaj komune nuk janë të denjë për ta shënuar njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, prandaj kanë vendosur që t’i heqin dhe t’i vendosin vetëm gjashtë flamuj të përmasave gjigante.

“Me rastin e ditës së njëqindvjetorit të shtetit ne qendra e lëvizjes Vetëvendosje në Fushë Kosove e kemi organizuar një aktivitet për ta shënuar këtë ditë. Do të vendosen 6 flamuj, simbolika e të cilëve është prezantimi i gjashtë pjesëve të trojeve shqiptare të cilat janë të ndara nëpër shtetet fqinj dhe të cilat fatkeqësisht ende po qëndrojnë të ndara. Këta gjashtë flamuj qëllimisht janë vendosur në një vend në rreth rrotullimin e Komunës sonë që në mënyrë simbolike ta shënojmë një lloji bashkimi të këtyre pjesëve të ndara me shekuj”, ka thënë ai.

Vetëvendosje shpjegon se për largimin e këtyre flamujve janë dakorduar edhe me Komunën e Fushë Kosovës, të cilët, sipas tyre, janë pajtuar për largimin e tyre, me kusht që të vendosen të tjerët.

“Flamujt janë duke i larguar me marrëveshje pasi që mendojmë se këta flamuj të vegjël nuk janë edhe aq të denjë për ta shënuar këtë ditë. Ne me mundin kohën dhe financat e shumë aktivistëve tanë i kemi bërë vet këta flamuj. Janë të përmasave gjigante dhe besoj që janë të denjë për ta shënuar këtë ditë. Për këtë shkak ne po i lëvizim këta flamuj për t’i vendosur në pjesë tjera të qytetit”.

Flamujt e larguar, sipas Vetëvendosjes, do të vendosen në pjesë të tjera të qytetit, ndërsa gjashtë flamujt gjigantë do të qëndrojnë në këtë vend deri në përfundimin e festës së 28 Nëntorit.