Uruguai fton Suarez për miqësoret e tetorit

Uruguai fton Suarez për miqësoret e tetorit

Uruguai fton Suarez për miqësoret e tetoritSuarez rikthehet të mbrojë ngjyrat e kombëtares uruguaiane të futbollit. Sulmuesi që këtë verë u transferua nga Liverpooli te Barcelona tre muaj e gjysëm pas kafshimit që i bëri Giorgio Chiellinit në ndeshjen e vlefshme për grupin D të Botërorit të Brazilit mes Uruguait dhe Italisë, mund të luajë sërish me kombëtaren Celeste.

Suarez është përfshirë nga trajneri Tabarez në listën paraprake të 28 futbollistëve që do të përfaqësojnë kombëtaren amerikano-jugore në dy ndeshjet miqësore të muajit Tetor.

Listën përfundimtare trajneri i Uruguait do ta bëjë të ditur javën e ardhshme por sipas të gjithave emri Suarez do të jetë i përfshirë edhe aty pasi ai është sulmuesi më i mirë i kombëtares Celeste dhe Tabarez për asnjë arsye nuk mund ta lërë jashtë. 27-vjecari është dënuar nga Fifa të mos luajë në asnjë ndeshje zyrtare përpara datës 25 Tetor ndërkohë që është ndëshkuar edhe me 9 ndeshje pezullim me përfaqësuesen 2-herë kampione Bote por duke qenë se sfidat që Uruguai do të luajë ndaj Arabisë Saudite më 10 Tetor dhe përballë Omanit dre ditë më pas janë vetëm takime miqësore, ish lojtari i Liverpoolit lejohet që të luajë.

Faktin që Suarez do të jetë pjesë e Uruguait në këto dy ndeshje e bëri akoma edhe më të sigurt një prej drejtuesve të fedaratës së futbollit në vendin amerikano-jugor. Roberto Pastoriza i pyetur për këtë cështje theksoi se Luis shumë shpejt do të rikthehet të mbajë veshur fanellën e Uruguait.

Një tjetër fakt që të bën të mendosh se Suarez do të jetë pjesë e kombëtares Celeste në dy ndeshjet e muajit Tetor është se drejtuesit e federatës së futbollit të Arabisë Saudite u bënë të ditur homologëve të tyre uruguaianë se nëse El Pistolero nuk do të udhëtojë me skuadrën e tij në vendin aziatik ata do tu paguajnë atyre 150 mijë dollarë më pak nga shuma që kanë rënë fillimisht dakort për të zhvilluar këtë ndeshje miqësore.

Grumbullimi i Suarez në përfaqësuesen e Uruguait është një lajm i mirë edhe për Barcelonën që synon ta ketë 27-vjecarin në formën optimale për El Clasicon ndaj Realit më 25 Tetor. Këtë mesjavë El Pistolero realizoi dy golat e tij të parë me fanellën e Barcës në miqësoren që Barcelona B fitoi me rezultatin 6-0 ndaj kombëtares së 19-vjecarëve të Indonezisë.