Të gjithë e duan Prishtinën

Të gjithë e duan Prishtinën

Të gjithë e duan PrishtinënPartitë kryesore politike në Kosovë po bëjnë kalkulimet e fundit për të vënë në dispozicion miliona euro për fushatën për Prishtinën.

Në garën për kryeqendrën më të përqendruara janë LDK, PDK, Lëvizja “Vetëvendosje!, por edhe ambiciet e partive tjera më të vogla si AAK dhe AKR.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bëjnë të ditur se për garën dhe fushatën për Prishtinën do të sigurohet një buxhet grandioz prej dy milion eurove.

“Ka kalkulime të ndryshme, por është kjo shumë që mund të thuhet, për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur për Prishtinën kishte një buxhet prej 400 mijë eurove”, theksoi për INA një zyrtar i PDK-së, duke shtuar se si pjesë e fushatës do të përdoret edhe logjistika dhe joshjet e tjera si parti në pushtet.

PDK llogaritë në dobësimin e LDK pas kandidaturave të forta të Shpend Ahmetit nga Vetëvendosja!  dhe Korab Sejdiut nga AKR. Partia e Hashim Thaçit synon që me kandidatin e saj Agim Çeku të shkojë në balotazh me Ahmetin e Vetëvendosjes!.

Këto analiza brendapartiake kanë dalur edhe nga një analizë hulumtuese e bërë nga një institut britanik në llogari të PDK-së.

Ndërkohë, mobilizimi masiv po ndodhë edhe tek Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Jozyrtarisht mësohet se edhe kjo parti do përgatit buxhet milionësh për Prishtinën si bastion kryesor i saj dhe një sprovë mbijetesë. Në LDK ka një dozë frikësimi nga kandidatura e Korab Sejdiut, i cili së fundi braktisi radhët e saj, por edhe Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje!  pritet të ‘targetojë’ një pjesë të elektoratit të LDK-së.

Partitë politike janë duke bërë analiza dhe anketa të thella para daljes së tyre në terren, me qëllim të përfitimit të elektoratit të kryeqendrës kosovare. Gara për Prishtinën do të jetë sërish vendimtare për rrugëtimin dhe fuqizimin e partive politike.