Shitja e PTK-së, gabim i madh

Shitja e PTK-së, gabim i madh

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, ka miratuar një nga kërkesat e investitorëve për shtyrjen e afatit për dorëzim të ofertave deri më 15 janar 2013, edhe pse vlerësojnë se ky proces është duke vazhduar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe autorizimeve të dhëna nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Ky komision vlerëson se privatizimi i PTK-së, edhe pse kundërshtohet ashpër nga Sindikata e PTK-së dhe shoqëria civile, do të ndodh dhe i njëjti do të sjellë efekte pozitive për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës, por, praktikat e privatizimit të këtij aseti në rajon, tregojnë të kundërtën.

Avad Bahto, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Bosnje e Hercegovinës, tregon se si sindikatatë, por edhe shoqëria civile dhe populli boshnjakë, kanë arritur ta ndalin procesin e privatizimit të Telekomit në federatën e Bosnjës e Hercegovinës.

Ai ka thënë se për të ndalur një proces të tillë e që e konsideron të dëmshëm, duhet zhvilluar dialog gjithëpërfshirës, e në mesin e tyre duhet të jenë edhe shumë ekspertë të cilët do të diskutonin dhe do të shtroheshin argumentet pro dhe kundër privatizimit.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga ligjvënësit kosovarë që të krijojnë ligje me të cilat do të mbrojnë pasurinë shtetërore, për të cilën edhe luftuan.

Kryesindikalisti boshnjak, Avad Bahto, gjatë një interviste për Kosovapress, ka thënë se procesi i privatizimit i filluar në Kosovë, e në këtë rast privatizimi i PTK-së, nuk mund të ndikojë pozitivisht në ekonominë e vendit, përkundrazi, dëmton në masë të madhe ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës.

“Dëmtimi nga procesi i privatizimit, apo nga shitja është shumë i madh dhe 100 % i pa përmirësueshëm, ndërsa fitimi do të jetë shumë afatshkurtër. Qeveria do të fitojë njëherë të holla të cilat vetëm një herë do të ketë mundësi t’i investojë në ndonjë projekt, që është shumë diskutabile duke marrë parasysh praktikat nga shtetet e tjera, që kryesisht këto mjete nuk i kanë investuar në projekte kapitale. Për këtë kam thënë se është një fitim i njëhershëm dhe proces një drejtimesh”, ka thënë ai.
Bahto, ka vlerësuar punën e Sindikatës së Postës dhe Telekomit të Kosovës, për të cilën ka thënë se po punon mjaftë për ta ndalur këtë proces, mirëpo ka shtruar nevojën e dialogimit dhe debatimit me institucionet e Kosovës, në mënyrë që t’i bindin edhe ata se ky proces është i dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

“Sindikata e PTK-së gjatë gjithë këtyre dy viteve ka insistuar në atë që të bisedojë me qeverinë, Kuvendin, me qytetarët dhe akademinë e shkencave, në lidhje me atë se a duhet të hyhet në procesin e privatizimit. Ajo që është frikësuese është se ky dialog nuk është i hapur me ata që insistojnë në këtë proces dhe ajo që është krejt e pakuptueshme është se institucionet më përgjegjëse, si parlamenti nuk ka pas një dialog të hapur në të cilin duhet të jenë prezent të gjitha argumentet pro dhe kundër privatizimit”, ka thënë ai.
Ai ka porositur të gjithë ata që janë pro shitjes së PTK-së që t’i shikojnë përvojat e shteteve të cilat kanë shitur Telekomin e tyre, e të cilët më pas kanë pranuar një gabim të tillë. Ai ka përmendur shtetin e Sllovenisë, i cili, sipas tij, edhe pse është në Bashkimin Evropian dhe është një shtet stabil, asnjëherë nuk i shiti asetet shtetërore.

“Qeveria e Sllovenisë e cila është anëtare e BE-së dhe shumë shtet stabil, kurrë nuk i ka shit dhe nuk mendon t’i shes ndërmarrjet publike. Bosnja e Hercegovina, në pjesën federale të saj, për kundër partive të më parme që kanë qenë pro shitjes së telekomit, sot shumë haptas pranojnë se kanë kuptuar se nëse do ta shitnin telekomin do t’i bënin dëm vendit. Dhe sot politika e partive që janë pjesëmarrës në federatën e Bosnjë Hercegovinës, janë të një zëri dhe thonë se kjo nuk shitet”, ka thënë ai.
Avado Bahto, ka theksuar po ashtu se nëse Kosova do ta shes Postë-Telekomin e Kosovës, atëherë do ta ketë fatin e njëjtë si të Maqedonisë dhe Kroacisë dhe e cila kurrë më nuk do të arrijë të kthejë atë.
Kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Bosnjë e Hercegovinës, Avad Bahto, që njëherësh është edhe Inxhinier i diplomuar në lëmin e Telekomunikacionit, ka qenë pjesëmarrës i një konference në Prishtinë bashkë me disa sindikalistë të vendeve të rajonit dhe njohës të proceseve ekonomike, të cilët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos e privatizojë Postën dhe Telekomin e Kosovës.

Ai me bashkëpunëtorë, me ftesë të kryetarit të Sindikatës së Post Telekomit të Kosovës, Milazim Alshiqi, qëndruan në Kosovë, ku shpalosen përvojat e tyre në parandalimin e privatizimit të Telekomit boshnjak, i cili, sipas tij, para dy vjetësh ishte paraparë të privatizohet, por falë rezistencës dhe këmbënguljes së tyre, Qeveria boshnjake kishte hequr dorë nga privatizimi.

Federata Sindikale e PTK-së, ka paralajmëruar se do t’i përdorin të gjitha format ligjore për ta penguar privatizimin e PTK-së, duke mos përjashtuar protesta masive dhe greva. Ata konsiderojnë se privatizimi i PTK-së, do t’i sjellë dëm Kosovës, pasi, sipas tyre, vetëm gjatë vitit 2012, Qeveria e Kosovës ka marrë 45 milionë euro dividendë nga kjo ndërmarrje.