Scolari trajneri i ri i Brazilit

Scolari trajneri i ri i Brazilit

Tashmë është zyrtare: Luis Felipe Scolari është trajneri i ri i Brazilit. Për 64-vjecarin bëhet fjalë për një rikthim në drejtimin e Selecao-s me të cilën fitoi kupën e botës më 2002.

Scolari që ishte shkarkuar në shtator nga klubi i Palmeiras zëvendësoi të shumë kritikuarin Mano Menezes rezultatet negative të të cilit nuk u falën nga ana e drejtuesëve të federatës. Në të vërtetë rikthimi i Scolarit në këtë detyrë kishte ditë që përflitej dhe sëbashku me të ishin disa emra të tjerë midis të cilëve edhe ai i Pep Guardiolës.

Një kandidaturë që zgjati pak pasi Botërori është mbas dere dhe u preferua një trajner Brazilian që e njeh në mënyrë perfekte ambientin. Që në prezantimin e parë Scolari që njihet si një trajner i rreptë vuri pikat mbi “i” duke zbuluar edhe objektivin e tij.

“Jemi të detyruar të fitojmë Botërorin. Për momentin nuk jemi ne favoritët por duam që të bëhemi gjatë turneut. Kemi fituar pesë tituj kampion por nuk duhet të kënaqemi me një nga katër vëndet e para”.

Testi i parë për “Filippone” do të jetë Kupa e Konfederatave që do të zhvillohet pikërisht në Brazil në verën e vitit 2013.