Qeveria, me trupa koordinuese për dialogun

Qeveria, me trupa koordinuese për dialogun

 Ekzekutivi i vendit ka në plan të formojë trupa koordinuese për temat që do të trajtohen në dialogun politik me Serbinë, pjesë e të cilëve parasheh të jenë edhe opozita dhe shoqëria civile. Ftesë publike për pjesëmarrje në të tillë trupa ka bërë të premten zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ky zëvendëskryeministër ka thënë se, mekanizmat e këtillë profesionalë, nuk do të mund të kuptohen si diçka që do të jenë mbi institucionet.

“Jemi të gatshëm si Qeveri të marrim pjesë në grupe koordinuese, apo sido që të quhen tjetër, jo substitut (zëvendësim v.j.) i Kuvendit apo Qeverisë, por si grupe që do të mund ta koordinonin në kuptimin profesional punën më mirë dhe në këtë kuptim e kanë ftesën e hapur të gjitha subjektet politike, shoqëria civile dhe të tjerët”, ka thënë Kuçi pas mbledhjes së Qeverisë. “Përveç asaj që quhet menaxhim politik nga Qeveria, nga Kuvendi, ka nevojë për menaxhim profesional të temave veç e veç. Dhe do t’i bëjmë trupat adekuate në këtë drejtim, por jo duke mbivlejtur mbi Qeveri, mbi Kuvendin apo mbi institucionet tjera, por duke qenë organe të përbashkëta që koordinojnë punën më mirë”./koha/