Nga sot Prishtinë - Tiranë nëpër Autostradë

Nga sot Prishtinë – Tiranë nëpër Autostradë

Kosova e shënon sot shekullin e pavarësisë së Shqipërisë, me një vepër që dikur s’ishte as ëndërr.

Autostrada “Ibrahim Rugova”, e cila vazhdoi aty ku e la Shqipëria, në Vërmicë, përshkoi fusha, lugina, kapërceu lumenj e çau kodrina, për të mbërri sot në Gjurgjicë, ku lidhet me autostradën tjetër që lidh Prishtinën me Pejën.

Qytetarët e shumtë të Kosovës, të cilët duan të përjetojnë kënaqësinë që të parët e tyre s’patën mundësi, nga sot pas orës 13 do të mund të lëvizin drejt Tiranës me shpejtësi evropiane.

Një segment i kësaj vepre më të madhe që njohur Kosova qe lëshuar për qarkullim vjet, ndërsa pjesa tjetër nga Duhla deri në Gjurgjicë, nga ku i afrohet Pejës e Prishtinës, inaugurohet sot. Janë gjithsej 60.4 kilometra rrugë nga më modernet në kontinent, të cilat i japin sot ngjyrë festimit të ngjarjes më historike kombëtare. Qysh sot nga Prishtina drejt Tiranës mund të udhëtohet nëpër të.

Në aktin solemn të lëshimit për qarkullim është paralajmëruar pjesëmarrja e zyrtarëve më të lartë të të gjitha hapësirave shqiptare.