17446201644aeda787e4420949604691_MidCol

Liderët, takohen me Clinton; kërkojnë njohje nga Kuvajti

Kryeministri Hashim Thaçi bashkë me presidentin Fatmir Sejdiu, kanë marrë pjesë në takimin vjetor të Nismës Globale Clinton, që mblodhi liderë dhe ish-liderë shtetesh nga e mbarë bota.

Në takim vjetor të kësaj nisme, që u mbajt në New York- ku kanë marrë pjesë më shumë se 125 liderë dhe ish-liderë shtetesh nga e gjithë bota, 15 fitues të Çmimit Nobel për Paqe, qindra menaxherë globalë ekzekutivë, filantropistë të njohur dhe udhëheqës fondacionesh, drejtorë të organizatave më të shquara joqeveritare dhe anëtarë prominientë të medias botërore- kryeministri Thaçi dhe presidenti Sejdiu, kanë takuar shumë liderë vendesh, me të cilët kanë biseduar për aktualitetin politik ndërkombëtar rreth Kosovës.

Gjatë kësaj ceremonie, Thaçi dhe Sejdiu patën një takim me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, ku u diskutuan tema që kanë të bëjnë me të arriturat e deritanishme dhe mundësitë zhvillimore të Republikës së Kosovës dhe për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve miqësore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Thaçi, i shoqëruar nga presidenti Sejdiu dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, po kanë zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Kuvajtit, Sheikh Nasser Al-Sabah. Liderët kosovarë gjatë takimit, e ripotencuan kërkesën e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit,

“Tani pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas miratimit të Rezolutës për Kosovën nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh këtë opinion, është hequr çdo dilemë legale dhe politike, prandaj është koha dhe momenti i duhur që Kuvajti të merr edhe vendimin formal për njohjen e pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi.