Kushtetua s’lejon bashkimin me Shqipërinë

Kushtetua s’lejon bashkimin me Shqipërinë

Referendumi që do të vendoste nëse qytetarët e Kosovës do të donin të bashkoheshin me Shqipërinë nuk mund të realizohet për sa kohë që është në fuqi Kushtetuta aktuale e Kosovës. 

Eksperti i së drejtës kushtetuese, Xhavit Shala, ka thënë se për t’u jetësuar iniciativa e Aleancës Kuq e Zi për mbajtjen e referendumit për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën duhet ndryshuar Kushtetutën e Kosovës.

Aleanca Kuq e Zi ka nisur një peticion i cili pasi të firmoset nga qytetarët e të dyja vendeve t’u dorëzohet parlamenteve në Tiranë dhe Prishtinë, të cilët do të duhet të votojnë për referendumin popullor për bashkim.

“Iniciativa për të organizuar referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ka një pengesë kushtetuese e përcaktuar në nenin 1 pika tre (3) që thotë se ‘Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti’. Në këtë rast, për t’i evituar këto pengesa duhet të amendementohet Kushtetuta e pastaj të organizohet referendumi për një gjë të tillë”, ka thënë Shala. “Mungesa e Ligjit për referendumin është elementi tjetër pengues për mosorganizimin ose mosmbajtjen e referendumit”.  Peticioni për referendume ka nisur të nënshkruhet më 28 nëntor në kufirin që ndan Shqipërinë dhe Kosovën. Për të ka folur vetë lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.