Kriza e antibiotikëve dhe revolucioni në mjekësic

Kriza e antibiotikëve dhe revolucioni në mjekësic

Vite më parë, falë kuriozitetit tim gati fëminor për çdo gjë që ka lidhje me jetën dhe sëmundjen, duke lexuar librin “Science and Religion”, më ka bërë përshtypje “beteja” konceptuale mbi origjinën e jetës ndërmjet mbështetësve të teorisë së Darvinit që mendojnë se të gjitha format e jetës kanë evoluar nëpërmjet proceseve të seleksionimit natyral dhe mbështetësve të teorisë së krijimit të botës nga një Arkitekt Inteligjent (Zoti).

Interesante është se, si argument në mbështetje të… teorisë së tyre, këta të fundit marrin një mikrob që quhet E. Coli, përgjegjës për 90% të infeksioneve urinare.

Pikërisht, struktura perfekte e këtij mikrobi njëqelizor, Flagyli i famshëm i tij, që lejon lëvizje të ngjashme me një motor uji, është aq e përkryer, aq komplekse, edhe pse nuk është bërë nga seleksionimi natyral, duke aluduar që gjëra të tilla mund të bëhen vetëm nga një Arkitekt apo Dizajn Inteligjent. Përsosmëria e tij nuk mund të jetë e rastësishme – këmbëngulin ata – duhet të jetë një inteligjencë superiore, pasi vetëm një e tillë mund të gjenerojë një mrekulli dhe përsosmëri të tillë siç është E. Coli.

Një vit më parë do të ishte pikërisht ky bakter, E. Coli, ky nxitës debatesh filozofike, që do t’i merrte jetën një biznesmeni të suksesshëm shqiptar, nga një infeksion i rrugëve urinare, ose me mirë, nga rezistenca bakteriale, edhe pse u trajtua në një nga klinikat më prestigjioze në Europë. Në dukje, e çuditshme të humbësh jetën nga një infeksion, por në fakt, një fenomen shumë i shpeshtë, pasi të paktën 40 000 njerëz, përfshirë moshat e reja, vdesin çdo vit në Amerikë nga rezistenca bakteriale duke konfirmuar atë që revista

Science shpreh në një nga numrat e saj të fundit: “Betejën e radhës ndaj antibiotikëve do ta fitojnë bakteret”.
Betejë e gjatë kjo, që do të fillonte rreth një shekull më parë, ekzaktësisht 87 vjet, me zbulimin e penicilinës nga Flemingu, i cili, së bashku me Howard Florey dhe Ernst Boris Chain, do të realizonin zbulimin më të rëndësishëm të mjekësisë moderne. Rezultatet e shkëlqyera të mjekimit me penicilinë jo vetëm do t’i kurorëzonin të tre shkencëtarët me çmimin “Nobel”, por do të gjeneronin një optimizëm të paparë në luftën e përjetshme ndaj infeksioneve.
Natyrisht, edhe bakteret do të reagonin duke modifikuar profilin e tyre gjenetik, konkretizuar kjo me sintetizimin e një enzime që lidhej me penicilinën dhe e bënte atë joefikase.

Shpejt (flakë për flakë) industria farmaceutike do të përgjigjej me zbulimin e një peniciline sintetike, të quajtur meticilinë, e cila do të neutralizonte mbrojtjen bakteriale dhe me të drejtë do ta çonte në qiell entuziazmin e shkencëtarëve: ”Fituam. Mbaroi era e baktereve rezistente”.

Por, siç duket, sa herë që shkenca i sfidon, pra sa herë shkenca përpiqet të sfidojë natyrën, bakteret modifikohen e kthehen akoma më të forta e më rezistente ndaj antibiotikëve. ”I’ll be back”, do të kthehem përsëri, shprehja e famshme e Shvarcenegerit te filmi “Terminator”.

Realisht ato janë kthyer fuqishëm, pasi dukuria e rezistencës është një problem me përmasa gjithnjë në rritje. Pikërisht nga këto përmasa progresive të rezistencës bakteriale merr jetë pesimizmi i mikrobiologut Joshua Lederberg, mbajtës i çmimit “Nobel”, i cili shprehet se në luftën e njerëzve ndaj baktereve ”do të fitojnë bakteret”, duke çuar në fundin e dominimit të njeriut në tokë. Duhet të ketë të drejtë, nëse vazhdohet kështu.

Kemi abuzuar me përdorimin e antibiotikëve duke i përdorur ato pa kriter. Për çdo rrufë të zakonshme, dhimbje të lehtë të fytit, kollë apo temperaturë, qoftë ajo pak mbi 37 gradë, në mendjen e mjekut apo farmacistit menjëherë profilizohet lloji i antibiotikut, pa marrë parasysh se është infeksion apo virozë, fëmijë apo plak, mjaft që “të jetë brenda”. Për më tepër, edhe pacientët apo familjarët ndjehen më të qetë dhe shpesh janë ata që insistojnë për antibiotikun, duke menduar se marrja e tij do të përshpejtojë shërimin. Për çdo infeksion urinar, jo vetëm farmacisti, por edhe ekografisti nuk ngurron të të mbushë recetën plot me antibiotikë, pa menduar se pjesa më e madhe e të sëmurëve që bëjnë dializë apo janë transplantuar, në fillimet e hershme të tyre kanë pasur infeksione urinare të keqmjekuara.

Pse ndodh kjo? Mungesë profesionalizmi, apo presion i dhjetëra antibiotikëve që na ofron marketingu i kompanive farmaceutike? Ndoshta të dyja bashkë.
Por, akoma më e tmerrshme është se i kemi përdorur antibiotikët edhe për rritjen e kafshëve dhe të bimëve, duke rrezikuar kështu shfaqjen e epidemive të rrezikshme pasi mendohet se bakteret e pranishme në zorrët apo dhe në mishin e këtyre kafshëve janë shumë rezistente nga mjekimi.

Kemi abuzuar e po abuzojmë me mbajtjen e kafshëve shtëpiake. I mbajmë nëpër apartamente me sipërfaqe të vogla, jetojmë me ta, flemë me ta, hamë me ta. Nëse është e vërtetë ajo që vë në dukje Calvin Schwabe në librin e tij ”Mjekësia veterinare dhe shëndeti i njeriut”, botuar pak kohë më parë në Amerikë, se mjekimi i infeksioneve është si veza e Kolombit: Kuro kafshët që të kurosh njeriun.

Atëherë, ne dhe fëmijët tanë po jetojmë frymë më frymë me burimin e infeksionit. Pasi lanë Afrikën e Lindjes për të kolonizuar tokën, njerëzit e parë do të bëheshin barinj duke mësuar të zbusnin kafshët. Por, për këtë u duhej që gjenet e imunitetit të zhvilloheshin së bashku me këtë aktivitet të ri të njeriut, për ta mbrojtur atë nga mikrobet që kishin lopët, kuajt apo delet. Më pas, me përshtatjet e njeriut nëpër qytete, me lindjen e qytetërimit – venë në dukje studiuesit e Oksfordit dhe Nju Jorkut – njeriu filloi të humbasë një pjesë të këtyre aftësive mbrojtëse duke u gjendur i papërgatitur nga rikontakti me kafshët.

Nga ana tjetër, avionët kanë kapërcyer çdo barrierë gjeografike. Nëse nëpërmjet zogjve shtegtarë mikrobeve u duheshin muaj për të kaluar nga një kontinent në tjetrin, nëpërmjet avionëve, sot e realizojnë në pak orë. Ndërsa nobelisti Luc Montaigner shkon akoma më larg kur pretendon se duke shfrytëzuar kujtesën e ujit për ADN-në e baktereve. Nëpërmjet valëve elektromagnetike mund të kemi një përhapje të tyre brenda pak sekondash. Vitet e fundit, fokusi i studimeve të nobelistit ka qenë pikërisht ”teoria e ujit”, e zbuluar që në vitin 1988 nga Jacques Benveniste, i cili për vite ka qenë në qendër të polemikave shkencore, pasi kjo teori e konsideron ujin ruajtës të kujtesës së substancave që ka në përmbajtje. Sipas kësaj teorie, ADN-ja e baktereve jo vetëm ruhet, por dhe ndihmohet nga uji për t’u shumëzuar dhe, më pas, nëpërmjet valëve elektromagnetike, mund të emetohet në çdo cep të botës.

Nuk mjaftojnë të dhënat e mësipërme, por, pak kohë më parë, revista “Lancet”, me një titull bombastik që realisht të fut frikën, ”The crisis of no antibiotics”, (Kriza nga mungesa e antibiotikëve), do të përpiqej të shpjegonte mungesën e antibiotikëve të rinj përballë këtyre baktereve rezistente ndaj antibiotikëve. Industria farmaceutike nuk ka më interes të financojë në sektorin e antibiotikëve, këmbëngulin artikullshkruesit. Kushtojnë shumë dhe fitimet janë modeste, pasi për një infeksion të çfarëdo natyre qoftë, i sëmuri merr vetëm disa ditë, qoftë edhe javë, mjekim. Fokusi i tyre janë sëmundjet kronike ku medikamentet përdoren gjatë gjithë jetës, si diabeti, hipertensioni apo nivelet e larta të yndyrave në gjak. Gjatë dhjetë viteve të fundit, prodhimi i antibiotikëve të rinj është ulur jashtëzakonisht: nga 1940-ta deri në vitin 1962 janë zbuluar 15 klasa antibiotikësh, por që prej asaj kohe e deri më sot, këtij zbulimi i janë shtuar vetëm 3.

Siç duket, e kishte parashikuar Jack London në romanin e tij ”The Scarlet Plague”, botuar për herë të parë në “The London Magazine” më 1912-n. Një murtajë e tmerrshme shfaros njerëzimin. Ata pak që mbesin kthehen në epokën e gurit, fëmijët e tyre që tashmë jetojnë me rrënjë pemësh dhe fruta të egra e marrin vesh çka ndodhur nga një plak i vjetër që tregon gjithçka.
Edhe artet të tjera nuk kanë qenë indiferente ndaj këtij problem: ”Dita e Pavarësisë”, film fantastiko-shkencor. Bill Pullman, Mary MacDonnell. Sulmi alien është më pranë se kurrë! Me një teknologji të jashtëzakonshme ata janë gati të shkatërrojnë tokën. Tani, e vetmja armë në duart e njerëzimit mbetet dëshira për mbijetesë.
Duhet reflektuar sa nuk është vonë. Realiteti, faktet dhe fantashkenca janë larg njëra-tjetrës, por, nëse neglizhojmë, s’është çudi që një ditë të konvergojnë së bashku. E atëherë do të jetë vonë.

Megjithatë, revista shkencore më e famshme në botë, ”Nature and Science”, një zgjidhje e ka, zgjidhje kjo që kushtëzohet nga të bërit e një revolucioni biologjik, shkencor. Robespieri biologjik mendon se qeniet njerëzore nuk duhet të konsiderohen si një organizëm i vetëm, por si një superorganizëm i përbërë nga një numër i madh organizmash të vogla, edhe bakteresh, që punojnë në harmoni dhe si një pjesë e pandarë me organizmin e njeriut. Pra, sipas kësaj teorie, e cila mund të duket perverse, të konsiderohen edhe bakteret, edhe gjenet si pjesë të domosdoshme të një trupi. Industria farmaceutike duhet të prodhojë lloje të tjera antibiotikësh me parime të tjera. Aktualisht, antibiotikët janë përdorur kryesisht për të vrarë infeksionin. Në të ardhmen të kenë një funksion më fin – të manipulojnë bashkekzistencën e mikrobeve me organizmin, dhe jo t’i vrasë ato, pra të shtohen bakteret e mira në raport me të këqijat. E nëse ky revolucion do të rezultojë i suksesshëm, atëherë: Vive la révolution!