kupa

Krasniqi, politikën e PDK-së e quan “filozofi despotike”

kupaKryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka vlerësuar se “pas krejt asaj që ka ndodhur në qeverisjen e fundit të Hashim Thaçit, pamundësimi i filozofisë despotike është shpëtim për Kosovë! Shpëtim edhe për anëtarët e PDK-së, që kanë në zemër të mirën e Kosovës!”

 

Lexojeni të plotë postimin e Krasniqit në Facebook:

Dikujt i lejohet çdo gjë, të tjerëve asgjë! A ka logjikë kjo?

Filozofinë absolutiste dhe despotike e shquajnë dy logjika ngushtësisht të lidhura njëra me tjetrën: “Shteti jam UNË!” dhe “Pas meje në ketë jetë, Gur mbi gur mos mbet”.

A mundet dikush nga kritikuesit e koalicionit LDK-AAK-NISMA të më tregojë se mbi bazën e cilës logjikë ky koalicion është më pak demokratik se koalicioni që PDK-ja, si parti përparimtare qe e konsideron veten, bëri me Partinë Konservatore të Kosovës, me Partinë e Drejtësisë (parti fetare islamike), Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës ( parti fetare e krishterë) dhe Lëvizjen për Bashkim?! Pos filozofisë despotike që këmbëngul në logjikën “Shteti jam UNË!” asnjë parim i demokracisë nuk shkelet nga ky koalicion!

A mundet dikush nga kritikuesit e NISMËS që bëri koalicion me LDK-në dhe AAK-në të më tregojë se pse qenka më pak patriotike ky koalicion kur dihet se PDK-ja dhe katër partitë tjera politike të koalicionit të tyre nuk mund të formonin qeveri pa bërë koalicion qoftë me LDK-në qoftë me AAK-në, me të cilat dikur ka qenë në koalicion qeveritar? Pos filozofisë despotike që këmbëngul në logjikën “Pas meje gur mbi gur mos të mbet!” asnjë parim i patriotizmit nuk shkelet nga ky koalicion! A ishte parimor koalicioni paraprak me KKR-në?

Pas krejt asaj që ka ndodhur në qeverisjen e fundit të Hashim Thaçit pamundësimi i filozofisë despotike është shpëtim për Kosovë! Shpëtim edhe për anëtarët e PDK-së, që kanë në zemër të mirën e Kosovës!