florin2

Krasniqi padit Thaçin në gjykatë

Florin Krasniqi nga lëvizja “Vetëvendosje” ka deponuar të mërkurën në Gjykatën Komunale të Prishtinës një padi kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, për siç tha, akuzat që Thaçi ka bërë kundër tij dhe familjes së tij.

Krasniqi i referohet një komunikate të lëshuar nga Partia Demokratike Kosovës më 5 nëntor, të cilën e quan “shpifje”, njoftojnë mediat në Prishtinë.

Sipas tij, këto shpifje janë bërë nga PDK-ja dhe se ai do t’ia lërë në dorë Gjykatës Komunale që të merret më këtë çështje, përderisa ai do të vazhdojë të merret me aktivitetet e tij politike.

Në pyetjen e gazetarëve, Krasniqi ka mohuar se kjo padi ka të bëjë diçka me fushatën zgjedhore. Ai shtoi se ishte vetë Thaçi që e nisi fushatën me akuza kundër tij.