Gjithnjë e më pak rol e hapësirë për vendorët

Gjithnjë e më pak rol e hapësirë për vendorët

Izolimi i basketbollit kosovar ka bërë që numri i basketbollistëve cilësorë kosovarë të jetë i vogël. Kështu vlerëson përzgjedhësi i Kosovës dhe trajneri i Sigal Prishtinës, Arben Krasniqi.

Vlerësohet se Kosova jo vetëm që nuk ka lojtarë për eksport, por nuk ka basketbollistë të mjaftueshëm edhe për BKT Superligë të nivelit më të lartë. Për këtë arsye klubet e shohin të domosdoshme angazhimin e lojtarëve të huaj. Të gjitha tetë skuadrat e BKT Superligës kanë regjistruar lojtarë të huaj.

Bordi i FBK-së të hënën vendosi që t’ua lejonte skuadrave angazhimin e tre lojtarëve të huaj. Deri më tash, ky numër kufizohej në 2. Vetëm një ditë pas vendimit të Bordit, katër skuadra angazhuan lojtarët e tretë të huaj. Të martën Sigal Prishtina e regjistroi amerikanin Devan Downeyn, me të cilin kishte firmosur më herët. Amerikanë angazhuan edhe dy skuadrat e pjesës së poshtme të klasifikimit, RTV 21 e Drita. 21-shi angazhoi Ryan Whiten, ndërsa Drita Craig Blackmonin. Derisa, të mërkurën, edhe klubi Peja ka njoftuar për transferimin e një të huaji – qendrën Vladan Jocoviq, 211 cm i gjatë.

FBK-ja është duke analizuar edhe propozimin që lojtarët nga Shqipëria të llogariten lojtarë vendorë. Nëse kalon edhe ky propozim, atëherë në një pjesë të klubeve të kampionatit kosovar, lojtarët vendorë kryesisht do të përcjellin ndeshjet nga banka e rezervistëve.

“Është e vërtetë se në Kosovë ka mungesë të lojtarëve cilësorë vendorë. Bllokada ndërkombëtare, përkatësisht garimi vetëm në Kosovë ka bërë që kualiteti të bjerë. Për shembull, Prishtina me dy apo tre lojtarë të huaj ka ditur të matet me plot sukses me skuadra të njohura evropiane, por mungesa e ndeshjeve ndërkombëtare ka bërë që kualiteti të bjerë”, ka thënë Arben Krasniqi të mërkurën.

Sipas tij, lojtarët e rinj kosovarë e kanë të pamundur të përparojnë sa basketbollistët e rinj të vendeve me basketboll të zhvilluar.

“Talentët nga Kosova që janë duke u zhvilluar jashtë vendit, si Kenan Spahiu në Turqi e Erjon Kastrati në Slloveni, brenda vitit kanë zhvilluar deri në 70 deri 80 ndeshje cilësore. Të rinjtë në Kosovë ndodh që nuk luajnë asnjë ndeshje ndërkombëtare dhe në këtë situatë është e pamundur që ata të zhvillohen si lojtarët e rinj në vendet tjera”, ka shtuar Krasniqi.

Sipas tij, thyerja e izolimit nga edicioni tjetër do të tregojë se edhe në Kosovë ka lojtarë të talentuar dhe trajnerë e klube që dijnë t’i zhvillojnë ata. Ai nuk e vlerëson negativ paraqitjen e tre lojtarëve të huajë nëpër ekipet e Superligës. Por, kërkon që ata të jenë cilësorë.

“Lojtarët e rinj vendorë mësojnë shumë nga të huajt. E kam fjalën për të huajt cilësorë, e jo për ata që disa skuadra i angazhojnë përmes ‘facebookut’”.

Sipas Krasniqit, numri më i madh i lojtarëve vendorë janë të koncentruar te Prishtina, Trepça e Peja. Për Pejën thotë se dikur ishte qendër e basketbollit, ndërsa tani më shumë është koncentruar në angazhimin e lojtarëve të huaj, por edhe vendorë të qyteteve tjera.

“Ne vuajmë edhe për mungesë të menaxherëve. Në Kosovë ka pasur lojtarë që mund të luajnë në liga evropiane, si ajo e Gjermanisë, Belgjikës e të ngjashme. Por mungesa e aktivitetit ndërkombëtar ka bërë që ata lojtarë të kenë rënie të cilësisë”, ka shtuar Arben Krasniqi, që ka udhëhequr Prishtinën drejt dominimit në basketbollin kosovar në dekadën e fundit.

Prishtina në përbërje ka amerikanët Jeremy Price e Adam Waleskowski. Me fundorin Downey firmosi javë më parë, pasi shpresonte të paraqitej këtë edicion të Ligës së Ballkanit. Por FIBA ia mohoi këtë mundësi, ndërsa FBK-ja vendosi që të gjitha skuadrave t’ua lejonte lojtarin e tretë të huaj. Downey së fundi ka luajtur në Turqi, te skuadra TED Kolejliler. Karrierë ka bërë edhe në SHBA, Francë, Kroaci e Belgjikë.

Lojtarë cilësorë vlerësohet të jetë edhe plejmejkeri Ryan White të cilin e ka regjistruar RTV 21. Ai edicionin e kaluar ishte shënuesi më i mirë i kampionatit danez. Pjesë e RTV 21 janë edhe Joshua Alexander e Morgan Sabia. Drita i ka të regjistruar edhe Laurence Donelsonin e Devin Chambersin. Lojtari i ri i skuadrës gjilanase, Craig Blackmon, deri më tash karrierë ka bërë vetëm në SHBA. Ndërkohë, ai i Pejës, Jocoviq, stinorin e fundit ishte pjesë e skuadrës nga Mali i Zi, Sutjeska. Ai do të zëvendësojë britanikun Shane Walker, që për disa ditë ishte për prova në Pejë.