Rritja e pagave

FMN-ja nuk do ta pranojë rritjen e pagave për 50 %

Rritja e pagave në masën e premtuar nga kryeministri Hashim Thaçi vështirë se do të pranohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Një delegacion i FMN-së, që pritet të arrijë në fillim të muajit mars për të rinegociuar marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës, paraprakisht ka dërguar sinjale se marrëveshje do të ketë vetëm nëse Qeveria harton një buxhet kredibil dhe me rritje pagash deri në 20 për qind.

Qeveritarët vazhdojnë të premtojnë rritje pagash, përkundër faktit se rrezikojnë të humbin qindra miliona euro të premtuara nga institucionet financiare ndërkombëtare. Sindikalistët kërcënojnë me bllokim të punës së institucioneve publike nëse nuk ka rritje pagash në masën e premtuar.

Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është kundër rritjes së pagave, por jo deri në masën prej 50 për qind, sa ka premtuar Thaçi. E pranueshme sipas tyre do të ishte një rritje maksimale deri në 20 për qind. “Për zyrtarët e FMN-së është e pakuptueshme sesi Qeveria tenton t’i rrisë pagat kur të hyrat e saj janë shumë më të vogla se shpenzimet. Nëse premtimi i Qeverisë bëhet realitet, atëherë do të krijohet një disballans financiar në buxhetin e Kosovës. Marrëveshje me FMN-në nuk do të ketë nëse Qeveria i rrit pagat në masën e premtuar”, tha një zyrtar i lartë qeveritar, për Koha Ditore.

Edhe rritja e pagave në masë prej më pak se 20 për qind do të shkaktojë kokëçarje tek hartuesit e buxhetit. Kjo për faktin se buxheti i Kosovës do t’u ekspozohet rreziqeve të mëdha nga ndonjë krizë e përnjëhershme, pasi që edhe pa rritje të pagave arka e shtetit ka mungesë të lartë financiare.

Gjatë këtij viti llogaritet që nga arka e shtetit të shpenzohen rreth 1 miliard e 430 milionë euro. Po qe se pagat me rritje hyjnë në draftbuxhetin e ri që do të përpunohet pas negociatave të Qeverisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, atëherë nga buxheti i Kosovës do të shpenzohen mbi 1 miliard e 500 milionë euro. Kjo vlerë financiare e shpenzimeve nuk do të mund të mbulohej edhe po të shfrytëzohej në tërësi bilanci bankar i ruajtur në Bankën Qendrore, që llogaritet në vlerë prej 290 milionë eurosh.

Ky bilanc nuk guxon të bjerë në zero. Sipas analizave të njohësve të proceseve ekonomike, as shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës, si njëra ndër alternativat e vetme për daljen nga kriza buxhetore karshi shpenzimeve të fryra financiare, nuk do të shpëtonte krizën buxhetore, ngase të hyrat e saj nuk pritet të arrijnë këtë vit.

Të hyrat e parallogaritura për këtë vit janë në vlerën prej 1 miliard e 150 milionë eurosh, apo rreth 400 milionë euro më pak sesa shpenzimet e gjithëmbarshme pa rritjen e pagave.