Damian Gjiknuri: Mandatet jo në Kolegj, në KQZ

Damian Gjiknuri: Mandatet jo në Kolegj, në KQZ

“Nëse do të jetë Kolegji Zgjedhor institucioni që do bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve për çdo qark, kjo do të ishte shumë e rëndë për besueshmërinë e procesit zgjedhor të 2013”.

Një ditë pasi demokratët deklaruan se në kushtet e mungesës së vendimit nga KQZ-ja do të kërkojne në Kolegjin Zgjedhor përcaktimin e numrit të deputetëve për çdo qark, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, njëkohësisht një nga bashkëhartuesit e Kodit Elektoral, Damian Gjiknuri e konsideron kërkesën absurde. 

Ndarja e mandateve është ekskluzivitet vetem i KQZ-së, – thotë ai, duke treguar nenin 24 të Kodit Zgjedhor, në pikën “ë” të tij, që saktësisht percakton se ndarja e mandateve quhet e miratuar, kur merr jo më pak se pesë vota në KQZ.

“Kolegji, maksimumi që mund të bëjë është të detyrojë KQZ-në të marrë vendim, por KQZ-ja është në proces vendimmarrje dhe kuorumin e KQZ-së nuk e zëvendëson dot Kolegji. Janë nga ato lloj detyrash që nuk i ushtron dot gjykata, janë detyra të mirëfillta të administratës të ngarkuar me zgjedhjet. Përpara se të shkojmë në këtë lloj konflikti do të ishte më e udhës, më e pranueshme, më konsensuale që kjo çështje në ditët në vijim të zgjidhej, duke detyruar Ministrinë e Brendshme të japë informacionin e kërkuar. Nuk ka asnjë sekret, nuk mund të pranohen justifikime të tilla, ‘jemi para të dhënave konfidenciale’, pasi emri, mbiemri, vendbanimi, ditëlindja, të gjitha këto të dhëna publikohen në listën e zgjedhësve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimin për ndarjen e mandateve, sido që të jenë ato shifra. Nëse këto të dhëna janë të bazuara në bazë të legjislacionin për Gjendjen Civile le të bëhet, nëse pastaj Ministria e Brendshme nuk do t’i japë këto dhe ka probleme me to dhe rruga për ta zgjidhur këtë është përdorimi i Gjykatës në mënyrë të paligjshme, këtu do të jemi përpara një rreziku shumë të madh për besimin për zgjedhjet e reja”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri i shton argumentit per rritjen fiktive dhe te paligjshme të popullsise ne qarkun e Kukesit, edhe faktin se PS vete ka bere investigime të këtyre emrave, të cilët rezultojnë se banojnë në zona të tjera. Por deputeti socialist shton se shqetesimi i opozites nuk eshte mandati i katert ne qarkun e Kukesit.

“Shqetësimi më i madh për ne është integriteti i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile dhe sjellja e shtetit ndaj procesit zgjedhor dhe nëse shteti shpreh mungesë totale të transparencës, fut duart, anashkalon një nga parimet e rëndësishme për neutralitetin e tij në procesin zgjedhor, këtu kemi të bëjmë me një problem shumë më serioz se sa fakti i qëndrimit të një mandati në Kukës, apo heqjes së një mandati në Berat”, tha Gjiknuri.

Sekretari për Zgjedhjet në partinë më të madhe të opozites, ngre një tjetër shqetësim për procesin e 2013-s: Mungesa e nje plani veprimi nga institucioni me i lartë zgjedhor dhe fshehja e Qeverise përballë detyrimit për të garantuar teknologjinë në zgjedhje në zonat pilot.

“Shoh një rol apatik të amdinistratës së KQZ-së dhe një rol struci, pra futje si struci në rërë të Qeverisë duke mos dhënë asistencën dhe ndihmën e duhur për këtë proces, megjithëse ka detyrime konkrete si Qeveria, ashtu edhe administrata e KQZ-së, KQZ-ja në vetvete për ta përfunduar këtë proces. Duhet theksuar që kjo është shumë e rëndësishme pasi zbatimi i teknologjisë ka qenë një nga shtyllat e marrëveshjes politike të materializuar në Kodin Zgjedhor. Çdo devijim nga ky angazhim do të çonte, do të hidhte hije të forta dyshimi mbi vullnet nga ana e Qeverisë për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Gjiknuri.