Boksierët kosovarë bllokohen në Aeroportin e Armenisë

Boksierët kosovarë bllokohen në Aeroportin e Armenisë

Delegacioni i Kosovës që është dashur të paraqitej në kampionatin botëror për juniorë në boks, është bllokuar në Aeroportin e Yerevanit në Armeni.

Lajmi është bërë i ditur të mërkurën mbrëma nga kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe nga zyrtarë të Federatës së Boksit të Kosovës.

Delegacioni i përbërë nga katër anëtarë, dy boksierë, një trajner dhe një gjyqtar, të martën mbrëma ka arritur në aeroportin “Zvartnots”. Por atyre nuk iu është lejuar hyrja në Armeni. Armenia nuk e njeh Kosovën e as pasaportat e saj dhe për këtë arsye janë shfaqur problemet.

Garat në botërorin e boksit për juniorë nisin të enjten (sot). Shorti është tërhequr të mërkurën. Për të përfaqësuar Kosovën, për Armeni janë nisur boksierët Armend Xhoxhaj e Besart Kurhasku, trajneri Shefki Bogujevci dhe gjyqtari Latif Demolli.