Blloku: Ne e kemi shumicën parlamentare, si shumicë demokratike

Blloku: Ne e kemi shumicën parlamentare, si shumicë demokratike

Blloku: Ne e kemi shumicën parlamentare, si shumicë demokratikeKoalicioni paszgjedhor LDK, AAK, Nisma dhe Marrëveshja për parimet me Vetëvendosjen ka për objektiv ndryshimin pozitiv të qeverisjes së vendit; përqendrimin në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për herë të parë në historinë e pasluftës ne vullnetarisht kemi arritur të bashkohemi rreth një ideje dhe programi të përbashkët edhe përkundër dallimeve evidente politike të cilat i kemi. Këtë e kemi bërë vet, pa ndërmjetësimin e askujt.

Ne e kemi shumicën parlamentare, si shumicë demokratike. Në çdo vend normal demokratik ai që ka shumicën nuk ka pse të brengoset të redizajnojë zgjidhje, të cilat nuk janë në harmoni me parimet e marrëveshjes. Mbi të gjitha, LDK dhe subjektet e tjera të koalicionit kanë krijuar një besim reciprok dhe unë qëndroj fort prapa këtij besimi, i cili është dhe do të jetë strumbullar i bashkëqeverisjes sonë. Si kryetar i LDK-së, subjektit me numër më të madh të deputetëve në këtë koalicion, unë nuk mendoj vetëm për interesin e partisë sime, por për interesin dhe synimet e të gjithë atyre që qëndrojnë pa luhatur karshi objektivave të këtij koalicioni si dhe për nevojën që vendit ti sigurojmë një qeverisje të mirë.

Vendimi për koalicion në LDK është konfirmuar në Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nuk ka argument më të fortë që ne ti përmbahemi këtij vendimi, sesa vet fuqia e organit i cili e ka marrë një vendim të tillë.

Partia Demokratike duhet ta respektojë Kushtetutën dhe procedurat parlamentare, të respektojë shumicën parlamentare dhe të mos abuzojë me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e quar në pafundësi të drejtën e saj për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit.

Përcaktimi ynë është që përmes rrugëve demokratike e kushtetuese të ofrojmë zgjidhje brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet me vullnetin e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Nuk kemi arsye ta pranojmë asnjë zgjidhje tjetër apo të synojmë zgjidhje tjetër e cila nuk respekton vullnetin e shumicës , sepse Kosova ka sistem parlamentar.