Banka Botërore jep 150 milionë $ për sektorin energjetik

Banka Botërore jep 150 milionë $ për sektorin energjetik

Banka Botërore jep 150 milionë $ për sektorin energjetikBordi i drejtorëve ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar ditën e djeshme një fond prej 150 milionë dollarësh për financimin e Projektit të Rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë në Shqipëri.

Deklarata është bërë nga Tahseen Sayed, menaxherja e re e Bankës Botërore në Shqipëri, sipas të cilës, projekti do të mbështesë reformat në sektorin energjetik të Shqipërisë, duke u fokusuar në veçanti në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe qëndrueshmërinë financiare të këtij sektori.

“Sektori i energjisë në Shqipëri po ndeshet me sfida serioze financiare dhe operacionale, duke përfshirë një deficit të lartë të pafinancuar prej rreth 550 milionë dollarësh dhe një nivel të madh të humbjeve teknike dhe komerciale prej rreth 42 për qind, më i larti në rajon, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve, si dhe normat e ulëta të mbledhjes së borxheve.

Prodhimi i energjisë mbështetet pothuajse tërësisht në hidrocentralet e vendit, që do të thotë se importet e energjisë janë shpesh të nevojshme gjatë stinëve kur vendi ndeshet me thatësira dhe mungesë të reshjeve të shiut”, deklaroi Sayed.

Gjithashtu ajo theksoi se, përpjekjet e qeverisë për reformimin e sektorit të energjisë përfshijnë diversifikimin e burimeve prodhuese, pakësimin e nivelit të humbjes së energjisë gjatë shpërndarjes, përmirësimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët, dhe përmirësimin e modelit të tregut të energjisë në përputhje me standardet e BE-së. Një plan gjithëpërfshirës për rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë, do të zbatohet për të trajtuar çështjet e ngutshme me të cilat ndeshet ky sektor, veçanërisht qëndrueshmërinë e tij fiskale.

“Projekti i rimëkëmbjes së Sektorit të Energjisë mbështet zbatimin e reformave të qeverisë, dhe do të ndihmojë në rritjen e investimeve, përmirësimin e menaxhimit dhe performancës, veçanërisht në shpërndarjen e energjisë dhe pakësimin e shumave të papaguara të borxheve. Projekti do të mbështesë planin e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë duke trajtuar çështjet e vjetra teknike dhe financiare”, u shpreh Sayed.