Albulena Gubetini udhëton për medalje në Poloni

Albulena Gubetini udhëton për medalje në Poloni

Albulena Gubetini pret të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian i boksit për juniore që nis të dielën në Poloni. Gubetini është boksierja e parë nga Kosova që paraqitet në një evropian.

Ajo insiston se ndihet krenare për këtë përfaqësim dhe shpreson të mos kthehet duarthatë nga Wladyslawowo e Polonisë.

“Pres të sjell ndonjë medalje, sepse jam përgatitur mirë dhe kam besim të madh në vete”, tha Gubetini të premten. “Më vjen mirë që më kanë zgjedhur mua ta prezantoj Kosovën në këtë ngjarje të rëndësishme. Nuk besoj se do të zhgënjej, por do të bëj të gjithë të ndihen krenarë me paraqitjen time në Poloni”.

Boksierja nga Mitrovica e ka parasysh se kundërshtaret e saj nuk do të jenë të lehta. Mirëpo, ajo vlerëson se është përgatitur shumë mirë. Thotë se ka stërvitur nga dy herë në ditë dhe se ka bërë sparing me boksierët e Trepçës. Ajo është boksierja e vetëm në klubin mitrovicas. Gubetini thotë se sparingu me meshkuj do t’i ndihmojë t’i përballojë më lehtë kundërshtaret e kategorisë deri 66 kg në evropianin për boksiere të reja dhe për juniore.