|

Zyrtari i lartë ukrainas shet bileta në treg të zi

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Ukrainës, Volodymyr Gerashchenko, është suspenduar për afat të pacaktuar, pasi kishte tentuar të shiste bileta për Olimpiadën “Londra 2012″ në treg të zi. Gerashchenko ishte futur në kurth nga një gazetar i BBC-së, që ishte shtirur si një biznesmen nga Britania e Madhe. 

Ai kishte ofruar deri në 100 bileta për të shitur në treg të zi.

Shitja e biletave të “Londra 2012″ te shitësit ambulantë është krim dhe rrezikon gjobë deri në 20 mijë funte.

Kryetari i Komitetit Olimpik të Ukrainës, Sergei Bubka, ka njoftuar se është takuar personalisht me Gerashchenkon dhe e ka njoftuar se është i suspenduar derisa të mbyllen hetimet ndaj tij.

Shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian kanë rregulla strikte sa i përket shitjes së biletave. Rregullat thonë se biletat mund të shiten vetëm te banorët e vendit të tyre, për të parandaluar në këtë mënyrë futjen e biletave në treg të zi.

Gerashchenko ka kryer detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik të Ukrainës që nga viti 1997.

“Unë e kuptoj se je biznesmen – për këtë arsye je prioriteti numër një imi, personi të cilin do ta kontaktoj në rast se kam bileta ekstra”, i ka thënë Gerashchenko gazetarit të maskuar.

Gjatë takimit në një hotel në Londër, Gerashchenko kishte shpjeguar se është në proces të ndarjes së biletave për tifozët ukrainas, trajnerët dhe zyrtarët. Por, pasi të përfundojë procesin ai do të ketë deri në 100 bileta për të shitur.

Komentoni