bigthumb968_avni_zogiani

Zogiani: Politika po e saboton gjyqësorin në vazhdimësi

Organizata për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet, ÇOHU, dhe lëvizja “Fol” e konsiderojnë gjyqësorin të ndikuar dhe të sabotuar nga politika, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore.

Sipas gazetës, raporti që lëvizja “Fol” e ka publikuar të premten në lidhje me trajtimin e korrupsionit nga Qeveria e Kosovës, është vënë në pah se nga 50 vendimet e Qeverisë të marra gjatë 2 muajve të fundit, asnjë nga këto vendime nuk është marrë për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar apo ekonomisë joformale.

Me këtë raport të publikuar “Fol” gjithashtu ka bërë të ditur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë tremujorit të parë të 2011-ës, nuk është treguar produktiv sa do të duhej, për zgjidhjen e lëndëve antikorrupsion.

Lideri i organizatës për demokraci, antikorrupsion dhe dinjitet, “ÇOHU”,  Avni Zogiani, ka thënë se kjo organizatë prej vitit 2009 e këndej nuk është marrë kurrë më me Gjyqësorin, por me Qeverinë e Kosovës, ngase, sipas tij, duke u marrë me gjyqësorin  shkarkohet Qeveria nga përgjegjësia.

“Gjyqësori është keq, ngase kështu e duan Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Sikur të ishte gjyqësori i fortë, një e treta e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk do të ishin zgjedhur fare  nga elektorati, ngase ata do të përballeshin me gjyqësorin”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, kështu duan edhe ndërkombëtarët që fokusi të shtrihet drejt gjyqësorit, sepse, sipas Zogianit, ata kanë nevojë për politikanë të korruptuar në mënyrë që përmes tyre t’i implementojnë politikat e tyre jodemokratike, që u lejojnë atyre negociata pas negociatave, dhe privatizim pas privatizimi. Dhe, sipas tij, krejt këto janë objektiva politike dhe ekonomike që arrihen nëpërmjet lidershipit të korruptuar.