Zhegra komunë, Thaçi: Të tjerët vetëm fjalë, ne e realizuam

Zhegra komunë, Thaçi: Të tjerët vetëm fjalë, ne e realizuam

Zhegra komunë, Thaçi: Të tjerët vetëm fjalë, ne e realizuamMe këngë e valle qindra banorë të Zhegrës kishin dal për ta pritur kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, nga i cili po e pritnin për së afërmi lajm që Zhegra tanimë do të jetë Komunë.

Kryeministri Thaçi tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zhegrës komunë është vendimi qytetarëve të asaj ane, shpresa e tyre dhe amaneti i dëshmorëve. Thaçi u tha se banorëve të Zhegrës me rrethinë se vullnet të mirë në formë buzëqeshjeje për Zhegrën kanë pasur edhe të tjerët, por kurrë iniciativë s’kanë marr.

“Sot jemi këtu në Zhegër siç kemi qenë gjithmonë me ju dhe pranë jush. Ne të gjithë liderët politik të gjitha partive politike, që nga pas lufta kemi ardhur në Zhegër, kemi biseduar me ju kemi marr opinionet tuaja dhe kërkesa e juaj, vullneti juaj gjithmonë ka qenë që Zhegra të bëhet Komunë, dhe ne të gjithë liderët e të gjitha partive pa dallim ju kemi premtuar, se po do të bëhet, me fitore në zgjedhje do të bëhet. Sido që të jetë sot ka ardhur dita që pas krijimit të rrethanave të reja të theksoj se vendimin për themelimin e komunës së Zhegrës na e keni mundësuar ju me shpresën tuaj, me besimin tuaj me fuqinë që na keni jap”, ka thënë Thaçi.

Kreu i qeverisë ka shtuar se shteti i Kosovës ka hyrë në një fazë të re, atë të konsolidimit dhe forcimit, ka arritur mbi njëqind njohje ndërkombëtare, ka hyrë në një proces të sigurt të integrimit euroatlantike, ku Kosova do të jetë pjesë edhe e NATO-së edhe BE-së, edhe Organizatës se Kombeve të Bashkuara.

Ai shtoi se sot Kosova nderohet nga e gjithë bota demokratike, pasi është storie e suksesit, por në kuadër të këtyre angazhimeve që kanë, Thaçi tha se duhet të punojnë edhe me tepër për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies se qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast, Thaçi u ka premtuar banorëve të Zhegrës se ata ia kanë mundësuar qeverisë së Kosovës që ta fusin në interes nacional edhe ndërtimin e autostradës Ferizaj-Viti-Gjilan për gjatë Kamenicës deri të Dheu i Bardh.

“Ju me besimin tuaj na keni mundësuar që ta mbajmë premtimin tonë për themelimin e Universitetit Publik të Gjilanit “Kadi Zeka” që do të hapet me 1 tetor. Me besimin tuaj na keni mundësuar investimin e 90 milion eurove në Gjilan dhe rrethinë, por këta muaj do të investojmë edhe dhjet milion euro, që ta kompletojmë njëqind milion euro investime për këtë gjashtë vjeçar. Në muajt e ardhshëm dhe i kemi ndarë mjetet që të ndërtohet palestra sportive në Zhegër, gjithashtu edhe asfaltimin e disa rrugëve”, u tha Thaçi.

Kurse, Shkurie Ramadani bashkëshortja e Agim Ramadanit ia ka dhuruar edhe një komplet me libra për jetën dhe veprën e Komandantit, Agim Ramadani.

“Sot i solla një dhuratë të vogël për të, e cila e ka pritur që moti në shtëpinë e Agimit. Gjatë bisedës së shkurtër i thash Kryeministrit, këtu e keni vetëm pjesën e parë të dhuratës ta njihni Agimin si poet, ndërsa pjesa tjetër të pret kur të vish në shtëpinë e Agimit. Piktorët, poetët dhe artistët që ranë dhe na e sollën lirinë është gjaku i tyre që na solli në këtë ditë, për atë i falënderoj në radhë të parë ata që na sollën në këtë ditë, e në radhë të dytë ata ndihmojnë që këtë ditë të kemi me të mirën, me të mbaren në shtetin tonë me të shtrenjtë Kosovën tonë”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës, Njazi Idrizi që vjen nga ajo anë, tha se me themelimin e Zhegrës Komunë, do të jetë një ngjarje që do të shënohet në historinë e kësaj ane, ku do të jetë një nga ditët me të gëzuara që do të festohet vit për vit për këtë dhuratë që sot e sollën për ta vendimmarrësit nga institucionet qendrore.

“Zhegra komuna ime, është një slogan që ka shëtitur brenda institucioneve të Kosovës për tetë vjet me radhë, dhe ka trokitur nëpër të gjitha zyrat ku janë marr vendimet, në Kuvendin e Kosovës, tek të gjithë kuvendarët, në zyrë e ministrit të Pushtetit Lokal si njëri që bënte politikat lokale, Lutfi Haziri, por përveç buzëqeshjes nuk pati fat ta realizoj këtë vullnet të Zhegrës”, tha ai.

Por në anën tjetër edhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa ka qenë i gëzuar për themelimin e Zhegrës komunë, që sipas tij, këtë e kanë ditur që moti por vetëm se është dashur të vij koha e duhur.

“E kemi ditur se Zhegra do të bëhet komunë, e keni ditë edhe ju që e keni nisë këtë, edhe unë si kryetar i Gjilanit por edhe kryeministri e ka ditur këtë. Por nuk e kemi ditur saktë se kur do të bëhet themelimi i kësaj komuna, por kjo ditë është sot, dhe unë ju them urime shumë”, tha ai.

Ai u shpreh se dikush mund të thotë se si kryetari po gëzohet se po i merret një pjesë e komunës, por ai tha se është i lumtur shumë sepse po bëhet për ofrimin e shërbimeve me të mira dhe me afër qytetarëve.

Edhe kryetari i PDK-së në Gjilan, Zenun Pajaziti i ka përshëndetur banorët e Zhegrës, duke iu thënë se tani kërkesa e tyre u bë realitet nga kryeministri Hashim Thaçi.