zbogar-kat-euml-r-vitet-e-ardhshme-shum-euml-sfiduese-p-euml-r-kosov-euml-n_hd

Zbogar: Katër vitet e ardhshme shumë sfiduese për Kosovën

zbogar-kat-euml-r-vitet-e-ardhshme-shum-euml-sfiduese-p-euml-r-kosov-euml-n_hdKryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të hënën në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Ky i fundit tha se katër vitet e ardhshme do të jenë shumë sfiduese për Kosovën.

Kryeministri Mustafa vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e madhe që Zyra e BE-së ka dhënë për proceset në Kosovë, ndërkaq shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për t’u angazhuar fuqishëm në adresimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me proceset integruese evropiane.

Gjatë takimit, ndër të tjera u diskutua edhe për rëndësinë dhe përkrahjen që duhet ofruar në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, në veçanti.

Kryeministri Mustafa dhe shefi i Zyrës së BE-së, Zhbogar kanë biseduar edhe për procesin e dialogut dhe nënshkrimin e Marrëveshjes se Stabilizim-Asocimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar potencoi se katër vitet e ardhshme do të jenë shumë sfiduese pasi Kosova duhet të bëjë reforma strukturore të domosdoshme për zhvillim ekonomik, përmirësim të rendit dhe ligjit dhe administratës publike, përmirësim të mirëqenies së qytetarëve dhe për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.

Zhbogar e mirëpriti identifikimin e prioriteteve kryesore nga ana e Qeverisë dhe shprehu mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian/PSBE në arritjen e një progresi të prekshëm në këto objektiva.

“Lista e prioriteteve në të cilat Qeveria duhet menjëherë të filloi të punojë është mjaft e gjatë, por mes prioriteteve të rëndësishme për një të ardhme të afërt, unë në mënyrë të veçantë do të doja të theksojë përgatitjen dhe zbatimin e një Programi të Reformës Ekonomike, përparimin në fushën e sundimit të ligjit dhe reformën e administratës publike, nënshkrimin dhe hyrjen në fuqi të MSA-së, dialogun për liberalizim të vizave, vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe miratimin e legjislacionit të nevojshëm për themelimin e Gjykatës së Posaçme. E fundit por jo më pak e rëndësishme, ne presim nga Qeveria juaj zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka thënë Zhbogar.