Kabinga Pande

Zambia po shqyrton njohjen e Kosovës

Zambia po shqyrton njohjen e shtetit të Kosovës, ka bërë të ditur ministri i jashtëm i këtij shteti afrikan, Kabinga Pande.

Iniciativa për njohjen e Kosovës është ndërmarrë nga piloti shqiptar James Berisha, i cili me misionin e tij lobues me avionin e tij në shtetet afrikane, ka ndaluar në Zambi, ku autoriteteve të këtij vendi i ka dorëzuar një letër zyrtare për njohje në emër të Qeverisë së Kosovës, raportoi INA.

Ministri i Punëve të Jashtme të Zambisë, Kabinga Pande ka theksuar se vendi i tij do ta shqyrtojë kërkesën e Kosovës për t’i ndërtuar marrëdhëniet diplomatike me Zambinë.

“Do ta vlerësojmë atë kërkesë. Do t’i duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit sikurse bëjmë gjithmonë”, ka thënë Pande në një intervistë dhënë në kryeqytetin e Zambisë, Lusaka, raporton Zambia Daily Mail.

Piloti Berisha ka shtuar se shpreson që Zambia shumë shpejtë do tu bashkohet vendeve afrikane që tashmë e kanë njohur pavarësinë tonë. Piloi James Berisha deri tani ka vizituar 30 shtete afrikane që nga fillimi i misionit të tij në Afrikë më 31 nëntor, 2010.