Yll Hoxha: Fitorja na jep shpresë për ta vazhduar ëndrrën evropiane

Yll Hoxha: Fitorja na jep shpresë për ta vazhduar ëndrrën evropiane

Yll Hoxha: Fitorja na jep shpresë për ta vazhduar ëndrrën evropianeFutbollisti nga Kosova, Yll Hoxha, ka shënuar golin e parë në fitoren që skuadra nënkampione e Shqipërisë, Kukësi, ka shënuar, të enjten në mbrëmje, në Tiranë kundër Sarajevës, 3:2, në sfidën e parë të rrethit të dytë në Ligën e Evropës.

Për ish-futbollistin e Flamurtarit, Prishtinës e Hysit, ky ishte goli i parë në garën e dytë për nga rëndësia në futbollin evropian.

Hoxha shënoi në minutën e 24-t kur përfitoi nga asistimi i Alikajt dhe në dyluftim me një mbrojtës kundështar doli i suksesshëm për ta çuar topin në rrjetë. Pas golit të Yllit mysafirët arritën të përmbysin rezultatin shumë shpejt me autogolin e Popoviqit (32’) dhe golin e Todoroviqit (33’). Megjithatë, në pjesën e dytë kuksianët të mbështetur fuqishëm nga tifozët në “Qemal Stafa”, arritën që fillimisht të barazojnë shifrat me anë të Popoviqit në minutën shtesë të pjesës së parë dhe më pas të shënojnë edhe golin e fitores nëpërmjet Allmuçës, në minutën e 58-të.

Pas kësaj ndeshje Yll Hoxha, është shprehur tejet i lumtur për golin e shënuar dhe sidomos për fitoren e arritur, e cila u jep shpresa kuksianëve për kualifikimin historik. “Ishte një ndeshje shumë e fortë. Goli më gëzoj pa masë. Ishte mjaft emocionuese të gjeja rrugën e golit në një ndeshje kaq të delikate, por më e rëndësishmja është fitorja e skuadrës. Kjo fitore na mundëson të shpresojmë për ta vazhduar ende ëndrrën evropiane”, ka theksuar Yll Hoxha, për RTK, pak orë pas fitores kundër boshnjakëve të Sarajevës.

Ai mbetet optimist për kualifikim në rrethin e tretë, por është i vetëdijshëm se në Sarajevë i pret një mision tejet i vështirë për ta ruajtur epërsinë nga sfida e parë. “Kemi gjasa të mëdha për ta bërë hapin historik. Të gjithë në skuadër besojmë në kualifikim, por nuk duhet të na kaplojë euforia. Do të shkojmë në Sarajevë për rezultat pozitiv, por duhet ta kemi parasysh se kemi të bëjmë me një kundërshtar tepër të fortë, gjë të cilën e dëshmoj edhe sonte”, ka shtuar Hoxha.