Valencia-Chelsea-2011

Xhiroja vendimtare

Këtë mesjavë do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së fundit të fazës së grupeve dhe vendimtare në Ligën e Kampionëve. Grupet E dhe F janë më të paqartët, me nga tri skuadra që janë në lojë për dy pozitat e para. Në Grupin G, dy skuadra do ta kërkojnë pozitën e dytë, kurse në atë H gjërat pothuajse janë qartësuar më herët.

Nëntë skuadra e kanë siguruar kualifikimin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, ndërsa 16 të tjera do të ëndërrojnë ta ndjekin rrugën e tyre në ndeshjet e xhiros së gjashtë të fazës së grupeve, të cilat zhvillohen këtë mesjavë. Tashmë kanë mbetur shtatë vende të lira, të cilat do ta kompletojnë të tetën e finales, ndërsa shorti i 16 më të mirave do të hidhet më 16 dhjetor.

E fillojmë më Grupin E, ku gjërat janë mjaft të paqarta. Leverkuseni do të kualifikohej edhe nëse humb nga Genku, por me kusht që Chelsea dhe Valencia do të barazonin për t’i bërë të tria skuadrat nga nëntë pikë. Në atë rast, klubi gjerman do të mbetej në krye. Fitorja eventuale e ‘Farmaceutikëve’ ndaj belgëve të eliminuar tashmë do t’ua siguronte atyre pozitën e parë.

Në rast se Chelsea humb në shtëpi, do të përfundonte i treti, përkatësisht në Europa League. Ndërkaq, barazimi me gola do t’i konvenonte Valencias, kurse barazimi pa gola do t’i shkonte për shtati Chelsea. Në Grupin F, Arsenali e ka siguruar kualifikimin, ndërsa tri skuadrat tjera mund të luftojnë për pozitën e dytë, që çon më tutje.

Marseille është i dyti dhe fitorja në Gjermani do të ishte e mjaftueshme ose barazimi, nëse Olympiacosi dështon të fitojë ndaj londinezëve. Olympiakosi duhet të fitojë gjithsesi dhe të shpresojë që Marseille të mos e bëjë një gjë të tillë. Nëse grekët barazojnë, ata do të ecnin përpara, nëse Dortmundi triumfon me epërsi prej 3 deri në 5 gola avantazh.

Dortmundit i nevojitet ta mposhtë Marseillen prej 4 golash e më shumë dhe të shpresojë që Olympiacosi të humb. Në Grupin G, APOEL-i është konfirmuar si ekipi i parë qipriot që shkon përpara dhe do të përfundojë i pari, nëse fiton ndaj të eliminuarit Shakhtar Donetsk ose nëse barazojnë dhe Zeniti dështon të fitojë. Portos i nevojitet fitorja për të ecur përpara.

Në Grupin H, gjërat pothuajse janë të qarta. Barcelona do të jetë e para, kurse Milani i dyti. I treti në tabelë, Plzen ka dy pikë më shumë se BATE. Klubi çek do të mbetej edhe pa pozitën e tretë, nëse humb nga Milani dhe nëse bjellorusët triumfojnë në duel me Barcelonën.

 

Liga e Kampionëve

E martë

 

Grupi E

Chelsea – Valencia 20:45

Genk – Leverkusen 20:45

Grupi F

Dortmund – Marseille 20:45

Olympiakos – Arsenal 20:45

 

Grupi G

APOEL – Shakhtar D. 20:45

Porto – Zenit 20:45

Grupi H

Barcelona – BATE 20:45

Viktoria P. – Milan 20:45