Xhani De Biasi i lutet Bashës të presë Shqipërinë

Xhani De Biasi i lutet Bashës të presë Shqipërinë

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, i ka kërkuar mesfushorit kosovar Migjen Basha që të tregohet i duruar dhe të mos pranojë ftesën e përfaqësueses së Zvicrës, me shpresën që çështja e aktivizimit të tij me Shqipërinë të zgjidhet së shpejti.

Tekniku italian ka deklaruar për mediat shqiptare se futbollisti duhet të presë edhe pak kohë, pasi kjo ishte në të mirën e tij.

Ai i ka premtuar lojtarit një rol prej protagonisti me kombëtaren kuqezi, ndërsa dyshon se e njëjta gjë e pret te Zvicra, ku mund të luajë një rol dytësor.

“Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të mbështetur edhe nga FSHF-ja, kemi muaj që po punojmë për të bërë të mundur që Migjen Basha të luajë për Shqipërinë. Për mua si trajner ai është një lojtar shumë i rëndësishëm që do të na bënte punë në mesfushë.

Tani të jemi të ndërgjegjshëm, ekzistojnë disa probleme për të cilat Basha nuk luan ende për kombëtaren shqiptare, por unë i them se nëse dëshiron të mbrojë ngjyrat e kombit të tij, atëherë duhet të ketë edhe pak durim, derisa çështja të zgjidhet plotësisht. I them se durimi i tij do të shpërblehet, pasi unë e shikoj si një lojtar kyç në mesfushë, si një pikë referimi dhe nuk besoj, pa dashur të paragjykoj, se te Zvicra do shihet me këtë sy ose do ketë hapësirat e nevojshme si te Shqipëria”, ka deklaruar trajneri italian i kombëtares shqiptare.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar se për momentin nuk mund të bëjë më shumë për lojtarin, pasi është në pritje të një vendimi të FIFA-s.

“Ne si federatë kemi bërë të gjitha përpjekjet që lojtari të mund të luante për Shqipërinë. I bëmë dokumentacionin gati dhe në kohë rekord ai u pajis me pasaportë shqiptare. I vumë në dispozicion asistencë juridike, madje edhe vetë trajneri De Biazi, pat angazhuar avokatin e tij për zgjidhjen e problematikës.

Ishte një periudhë kohe kur ne mbanim kontakte të përditshme me Ministrinë e Brendshme, pasi kërkonim që të gjenim një lidhje sadopak të vogël të tij ose familjes së tij me Shqipërinë pasi, siç e dini, ai është kosovar. I kërkuam FIFA-s ndihmë për rastin në fjalë, por përderisa nuk ka kthyer përgjigje, do të thotë që për momentin është e pamundur”, deklaroi zëdhënësi për shtyp i FSHF-së. (LajmeShqip.com)