Xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin e UÇPMB-së (Video)

Xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin e UÇPMB-së (Video)

Xhandarmëria serbe e hoqi lapidarin e UÇPMB-së (Video)Forca të mëdha speciale të xhandarmerisë serbe sot në orën 7,15 minuta të mëngjesit kanë larguar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së të vendosur në qendër të Preshevës, transmetojnë mediat serbe. Sipas B92, nuk ka pasur incidente me rastin e heqjes së përmendores.

Për realizimin e këtij operacioni ishin angazhuar forca të mëdha policore serbe.

Mediat serbe raportojnë për 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të kenë qenë roje të ‘bagerëve” të cilët e shkulën lapidarin nga vendin para komunës për ta ngarkuar në një kamionë (Së shpejti më gjerësisht). Hë për hë nuk dihet se ku është dërguar lapidari. Siç dihet mbrëmë raportohej nga mediat serbe se veteranët e UÇPMB-së ishin pajtuar që lapidari të zhvendosej në oborrin e xhamisë, ose të Shtëpisë së Kulturës.

Sipas medieve serbe, në sheshin ku ishte i vendosur lapidari, pos ekipeve të shumta të medieve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë dhe automjeteve të tyre të blinduara, gjatë aksionit të heqjes së lapidarit, ishte edhe komandanti i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiq me bashkëpunëtorë, Slagjan Velinoviq, shef i policisë së Vranjës dhe Avdi Bajrami, komandant i policisë në Preshevë me zëvendësit e tij.

Nga ndërtesat përreth një numër qytetarësh kanë përcjellë aksionin. Transmeton agjencia serbe Tanjug.
Shesh, sipas medieve serbe, tashmë tërësisht është pastruar dhe nuk ka shenja se këtu ka ekzistuar ndonjë përmendore.
Kryeministri serb dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq ka deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë.

“Sërbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”, ka thënë Daçiq për mediat serbe.
Për heqjen me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës ka reaguar sot edhe qeveria e Kosovës. Në reagim thuhet:

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Milosheviqit. Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, thuhet ne reagimin e Qeverise se Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë. Përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar.

Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Ne duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike. Ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”, thuhet në reagimin e Qeverisë./koha/

httpv://www.youtube.com/watch?v=nzLXjMfV-j4