f1_13-champs-sp1331626338

Xhaka, Bayernit: Baseli nuk është Hoffenheim

Mesfushori kosovar i Baselit, Granit Xhaka është plotësisht i gatshëm dhe shumë optimist para duelit me Bayern Munchenin. Baseli, të martën (sot, 20:45) në “Allianz Arena” të Mynihut do të luajë kundër Bayernit ndeshjen e kthimit të 1/8 të finales të Ligës së Kampionëve.

Skuadra zvicerane do të mundohet për herë të parë të kualifikohet në çerekfinale të kësaj gare dhe është në epërsi 1:0 nga ndeshja e parë e luajtur në stadiumin “St. Jakob Park” të Baselit.

Xhaka 19-vjeçar, ka një mesazh të qartë për skuadrën bavareze, e cila në ndeshjen e fundit kampionale shkatërroi Hoffenheimin me rezultatin 7:1.

“Ne nuk jemi skuadra e Hoffenheimit, por Baseli dhe për këtë arsye do të jetë një ndeshje krejtësisht tjetër për Bayernin, do të jetë tepër e vështirë”, ka thënë Xhaka 19-vjeçar, që shkëlqeu në mesfushë në ndeshjen e parë mes këtyre dy skuadrave. “Ne kemi një skuadër të fortë dhe Bayerni do të ketë telashe të mëdha për të shënuar gol në portën tonë”.