Wall Street Journal: Priten arrestime të imamëve në Kosovë

Wall Street Journal: Priten arrestime të imamëve në Kosovë

Wall Street Journal: Priten arrestime të imamëve në KosovëKosova nisi një operacion të madh mëngjesin e së hënës kundër militantëve të dyshuar vendas të cilët kishin luftuar Siri dhe Irak, duke arrestuar të paktën 40 persona dhe konfiskuar armë e eksplozivë në dhjetëra vende, njoftojnë autoritetet, thuhet në tekstin e së përditshmes prestigjioze amerikane, The Wall Street Journal që Indeksonline e sjellë të plotë për lexuesit.

Ky veprim përbën aksionin më të madh kundër militantëve të dyshuar në Kosovë, ku qeveria prej kohësh kishte hedhur poshtë shqetësimet rreth kërcënimit nga ekstremistët. Duke folur në kushte anonimiteti, një zyrtar qeveritar tha se arrestimet erdhën disa muaj pas paralajmërimit të autoriteteve vendore nga shërbimet e huaja të inteligjencës për një sulm të mundshëm terrorist në Kosovë.

Megjithatë, në një deklaratë të policisë thuhej vetëm se arrestimet e së hënës patën në shënjestër personat të cilët kishin luftuar në Siri dhe Irak për grupin ekstremistë sunit, Frontit Al-Nusra, një degë e Al-Kaidës që përkrah sundimin global islamik dhe shtetin islamik, grup ky i cili ka pushtuar së fundi sipërfaqe të konsiderueshme të territorit në Irak.

“Unë kam autorizuar mbrëmë një operacion të gjerë për të gjetur dhe arrestuar pjesëtarët e dyshuar të grupeve që luftuan në Siri dhe Irak. Mund të konfirmoj se 40 persona janë arrestuar deri më tani, por janë gjetur edhe eksplozivë, armë dhe materiale të tjera në disa nga 60 lokacionet që janë bastisur gjatë këtij operacioni”, tha kryeministri Hashim Thaçi në një deklaratë për The Wall Street Journal.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë më 2008, ka një popullsi me shumicë shqiptare myslimane. Qeveria gëzon marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe vendet e tjera perëndimore dhe kushtetuta siguron një ndarje të qartë midis fesë dhe shtetit.
Por, prej kohësh ishte raportuar se një numër kosovarësh kishin shkuar për të luftuar në radhët e grupeve militante në Siri dhe Irak. Në muajt e fundit policia ka intensifikuar arrestimet pas qarkullimit të videove dhe imazheve të burrave kosovarë të përfshirë në luftime. Muajin e shkuar u shfaqën pamje në të cilat pretendohej të ishte një luftëtar kosovar duke prerë koka.
Të hënën, policia tha se 16 vendas besohet të kenë vdekur në konfliktet siriane dhe irakiane.

Për më tepër, policia njoftoi se operacioni kundër ekstremistëve do të vazhdojë, duke vënë në shënjestër ata që u bashkohen grupeve terroriste brenda ose jashtë vendit dhe njerëzit që i mbështesin, financojnë apo rekrutojnë ata. Zyrtari i qeverisë u shpreh se autoritetet po përgatisnin akuza ndaj disa imamëve për nxitjen e krimeve të urrejtjes. Në një intervistë telefonike të zhvilluar të hënën, kryeministri Thaçi tha se autoritetet besojnë se janë me dhjetëra e jo me qindra kosovarë që luftojnë në Irak dhe Siri.

Thaçi theksoi se një “numër i vogël i të rinjve” janë nxitur të luftojnë si rezultat i propagandës në mediet sociale dhe për shkak të ndikimit të “një numri të vogël imamësh”. Ai tha se qeveria po punon ngushtë me SHBA-në, Turqinë dhe BE-në për ta menaxhuar problemin.

Kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga u takua me diplomatë të lartë perëndimorë në Prishtinë, të hënën, për t’i informuar ata rreth aksionit, njofton një diplomat perëndimor.

Është shënuar një shqetësim në rritje në mesin e qeverive evropiane për rreziqet terroriste që vijnë nga të rinjtë që kthehen nga luftimet në Irak dhe Siri. Autoritetet besojnë se një francez i dyshuar për vrasjen e katër njerëzve në muzeun Hebraik në Bruksel, në maj, ishte kthyer në Evropë pas luftimeve në Siri.

Autoritetet evropiane vlerësojnë se afro 2,000 evropianë kanë udhëtuar për në Siri për të luftuar krahas rebelëve në betejën për ta rrëzuar kryetarin Bashar al-Assad.

SHBA dhe vendet evropiane luftuan më 1999 për të detyruar ish-diktatorin serb, Sllobodan Millosheviq që t’i tërheqë forcat e tij jashtë Kosovës, ku një ofensivë brutale kundër shumicës së madhe myslimane la mijëra të vdekur dhe rreth 750,000 njerëz të dëbuar jashtë shtëpive të tyre. /Indeksonline/