VV kundërshton, të tjerët kushtëzojnë Ligjin për amnesti

VV kundërshton, të tjerët kushtëzojnë Ligjin për amnesti

 VV kundërshton, të tjerët kushtëzojnë Ligjin për amnestiKuvendi i Kosovës po diskuton  në lexim të parë Projektligji për Amnisti. Në paraqitjen e këtij projektligji, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka thënë se qëllimi kryesor i tij është humanizmi, transmeton ktv.  

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur mbështetjen për të duke thënë se do të votojë pro tij. Të njëjtin qëndrim ka shprehur në parim edhe LDK-ja, me disa vërejtje, duke kërkuar që ai të amandamentohet në Komisionin për Legjislacion gjatë leximit të dytë. 

“Megjithëkëtë, përmes këtij projektligji Qeveria synon që të amnistojë të dy grupet e kriminelëve, ata serbë e ata shqiptarë të Kosovës. Me disa vepra penale ka shkuar aq larg, sa disa vepra u janë përshtatur personave të caktuar”, ka thënë Haki Demolli në emër të LDK-së.

Kundër ka dalë  Vetëvendosje. “Me këtë ligj po shpëtohen edhe Veslinoviqi, edhe miqtë e tij milionerë të politikës në Prishtinë”, ka thënë Glauk Konjufca.

Edhe AAK parimisht e ka mbështet projektligjin me disa vërejtje, kryesisht në numrin e madh të veprave penale dhe që nga projektligji të përjashtohen zyrtarët publikë. “Problemi është se në këtë karrocë, që po mundohemi ta shtyjmë, njerëzit kanë provuar të hedhin plaçkat e tyre, kjo nuk është e drejtë”, ka thënë Ardian Gjini, duke shtuar se nëse nuk bëhen ndryshimet, në lexim të dytë AAK nuk do të votoj projektligjin.

Mbështetje në parim projektligjit i ka dhënë Koalicioni për Kosovë të Re si dhe grupet e partive të minoriteteve të përfaqësuara në Parlament.