VV: Beteja e drejtë e Natasha Kandiqit dhe tradhtimi i Kosovës nga Mustafa e Thaçi

VV: Beteja e drejtë e Natasha Kandiqit dhe tradhtimi i Kosovës nga Mustafa e ThaçiNatasha Kandiq me guximin e saj qytetar, njerëzor dhe intelektual ballafaqohet me krerët e Serbisë dhe sistemin e ‘drejtësinë’ së tyre, kurse Mustafa e Thaçi bashkëpunojnë me po ata krerë të Serbisë që mbrojnë kriminelët e luftës për ta ndarë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thuhet në një komunikatë për opinion të Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton dhe dënon gjykimin kundër ish-drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq. Padia ‘private’ e Shefit të Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq, e inspiruar dhe e mbështetur nga krerët më të lartë shtetëror serb, dëshmon sërish frymën mohuese të shtetit serb ndaj krimeve të Serbisë në përgjithësi, e ndaj Kosovës në veçanti.

“Rasti Dikoviq vërteton jo vetëm se Serbia shtetërore vazhdon t’i mohojë krimet e kryera nga aparati i saj në Kosovë dhe në rajon, por edhe se ajo udhëhiqet ende sot nga njerëzit që kanë qenë vetë të përfshirë në ato krime të cilët mbrohen, ngriten në detyrë dhe dekorohen. Kjo Serbi reflekton vetë se nuk është e orientuar për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, për paqe të qëndrueshme dhe për barazi me popujt e tjerë në Ballkan, porse vazhdon të udhëhiqet nga politikat tradicionaliste hegjemoniste e shoviniste. Nikoliq, Vuçiq e Daçiq po sillen e veprojnë si pasardhës të denjë e besnikë të Milosheviqit dhe Sheshelit”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, sipas VV-së, regjimi Mustafa-Thaçi vazhdon të parapëlqejë pazaret në Bruksel me Nikoliqin, Vuçiqin dhe Daçiqin, në kontrast me Natasha Kandiqin që denoncon gjeneralët serbë të përfshirë në krime të luftës në Kosovë.

“Mustafa e Thaçi po bashkëpunojnë me elementet më të errëta të Serbisë për interesa personale. Është befasuese dhe e pakuptimtë se si institucionet e BE-së nuk reaguan asnjëherë për këtë shkelje flagrante që Serbia po ia bënë të drejtave dhe lirive të znj. Kandiq. Natasha Kandiq me guximin e saj qytetar, njerëzor dhe intelektual ballafaqohet me krerët e Serbisë dhe sistemin e ‘drejtësinë’ së tyre, kurse Mustafa e Thaçi bashkëpunojnë me po ata krerë të Serbisë që mbrojnë kriminelët e luftës për ta ndarë sistemin e drejtësisë në Kosovë! Për më tepër, po të njëjtën ditë që paraqitet Natasha Kandiq në gjykatë në Beograd për padinë e shtetit serb në mbrojtje të krimeve të tij, regjimi Mustafa-Thaçi punon zellshëm në Prishtinë për krijimin e Gjykatës Speciale për Kosovën”, shtohet në njoftim.

Në fund, VV-ja konsideron se mbrojtja zyrtare e kriminelëve nga bashkëbiseduesit e regjimit Mustafa-Thaçi në Bruksel legjitimon përsëri nevojën e ndërprerjes së dialogut me Serbinë, pos tjerash, përderisa ajo po mbron zyrtarisht kriminelët e luftës dhe nuk po i kthen trupat e të pagjeturve shqiptarë, përderisa ajo nuk kërkon falje e nuk i paguan dëmet e luftës. /Telegrafi/