Vonesën e krijimit të institucioneve, e paarsyeshme

Vonesën e krijimit të institucioneve, e paarsyeshme

Vonesën e krijimit të institucioneve, e paarsyeshmeVonesën e krijimit të institucioneve pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet PDK-së dhe LDK-së analistët politikë e shohin si tërësisht të paarsyeshme dhe si një mungesë respekti ndaj qytetarëve.

Sipas tyre, PDK e LDK deri më tani do duhej ta kishin qartësuar ndarjen e posteve ministrore, sikurse edhe prioritetet tjera që kanë të bëjnë me krijimin e institucioneve.

Të pajustifikueshme e konsiderojnë analistët politikë zvarritjen e koalicionit PDK-LDK për krijimin e institucioneve të reja. Edhe më e paarsyeshme kjo vonesë bëhet kur kihet parasysh fakti që janë bërë më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhjet nacionale dhe ende nuk janë formuar institucionet e reja të dala nga këto zgjedhje. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se derisa dihet koalicioni, dihet çështja e mandatarit për kryeparlamentar, nuk ka arsye të ketë vonesa.

“Më shumë është një mungesë respekti ndaj qytetarëve të Kosovës, sepse sikur të kishin një presion më të madh, atëherë jam i sigurt që brenda 2-3 ditësh do ta bënin edhe kabinetin qeveritar dhe do t’i formonin institucionet. Por si duket të gjitha partitë kanë nevojë për presion ndërkombëtar dhe përderisa nuk ka presione të tilla, atëherë mund të kemi edhe vonesa të tilla të panevojshme”, tha analisti Artan Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Sipas Muhaxhirit çështja e postit të kryeministrit nuk është shkak për vonesën e krijuar.

“Mendoj se është e qartë se posti i kryeministrit do t’i takojë LDK-së, sepse nuk ka asnjë logjikë tjetër politike që mos të ndodhë kështu”, tha ai.

Paradoksale dhe të pajustifikueshme këtë vonesë e konsideron edhe profesori Riza Smaka.

“Kjo gjendje e amullisë është e dëmshme politikisht, ekonomikisht e moralisht. Në çdo aspekt ne fitojmë poena negativë. Unë e gjykoj tepër këtë neglizhencë dhe këtë indiferencë. Kjo është e pashpjegueshme”, tha Smaka për Radio Kosovën.
Smaka fajëson sidomos Flora Brovinën që nuk e thërret seancën e Kuvendit.

“Po të kisha qenë unë në vendin e saj, çdo të dytën ditë do ta kisha caktuar seancën e Kuvendit, qysh prej qershorit. Ua kisha sjell shpirtin në fyt liderëve”, thotë Smaka.
Ndërkohë, mediat kanë raportuar se gjatë fundjavës mund të ketë takime të grupeve punuese të PDK-së dhe LDK-së në mënyrë që në fillim të javës të finalizohet marrëveshja. Por, zyrtarë të këtyre partive kanë konfirmuar për Radio Kosovën se nuk janë paraparë takime për sot.