f.0814153038558_m

Vizita e Jadranka Kosor – halë në sytë e serbëve

Vizita e kryeministres kroate në Prishtinë, e paralajmëruar për 24 gusht, është “vazhdimësi e propagandimit të politikës antiserbe”, shkruan ditorja serbe “Press”.

Vizita e kryeminstres Kosor në Prishtinë shihet si mbështetje për Hashim Thaçin në kohën kur raportet mes Prishtinës dhe Beogradit janë në pikën më të madhe të vlimit – duke pritur vazhdimin e bisedimeve dhe zgjidhjen e çështjes së bashkësisë serbe në veriun e Kosovës. “Futja e gishtit në sy të Beogradit”, nga ana e Kosor, siç shkruan “Press”, paraqet edhe faktin se kjo vizitë me pompozitet lajmërohet si kthesë në “raportet ekonomike mes dy vendeve”, pasi Prishtina ka bllokuar kufijtë për importin e mallrave nga Serbia dhe ka lënë “hapësirë të zbrazët” në tregun kosovar.

Sipas njoftimeve nga Zagrebi, me kryeministren do të udhëtojnë edhe shumë biznesmenë kroatë, të cilët do të marrin pjesë në forumin e Odës Ekonomike të Kroacisë dhe të Kosovës.

Ekonomisti Goran Nikolic, thotë se Kroacia nuk ka një interes të madh për “pushtimin” e hapësirës në tregun e Kosovës, por se marrëdhëniet në rajon janë të tilla që vizita e tillë në këtë moment ka kuptim simbolik për të dhe për partinë e saj.

“Kroacia, në aspektin ekonomik, nuk mund të ketë shumë dobi, sepse ky bashkëpunim vështirësohet nga fakti se mallrat kroate megjithatë duhet të vijnë nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, e kryesisht edhe për shkak se ato janë relativisht të shtrenjta për konsumatorët në Kosovë. Lidhja simbolike e Kroacisë dhe pushtetit në Prishtinë është e rëndësishme për Jadranka Kosor, sepse në këtë mënyrë ajo tregon politikën kundërshtuese ndaj Serbisë. Vetvetiu, vizita te Thaçi nuk do të jetë problematike po të mos vinte pas falënderimit të kriminelëve të luftës nga ‘Stuhia’ dhe ndërtimit ashiqare të imazhit antiserb”, ka thënë Nikoliç, për të shtuar se vizita e saj në Prishtinë ngjall politikën e HDZ-së nga vitet nëntëdhjetë, politikë kjo që pohonte se edhe në Kushtetutën e vitit 1974, RSFJ ishte konfederatë me tetë anëtarë.

Nga qeveria kroate vazhdimisht vijnë deklarata se ky vend bënë politikë të balancuar në rajon dhe se nuk duan të rrezikojnë bashkëpunimin e fqinjësisë me Serbinë, për çka, sipas lajmërimeve, Kosor do të takohet edhe me zëvendëskryeministrin e Kosovës nga radhët e serbëve, Slobodan Petrovic, i cili mes serbëve të Kosovës cilësohet “si serbi i Thaçit”.

Aleksandar Jugovic, nënkryetar i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, tha për “Press” se vizita e kryeministres kroate te Hashim Thaçi është në funksion të përkeqësimit të marrëdhënieve me Serbinë, për çka ajo ka qenë e angazhuar intensivisht këto ditë.

“Adhuruesja e Ante Gotovinës beson se çdo armik i serbëve është të njëjtën kohë mik i kroatëve. Në Kninin e spastruar etnikisht nga serbët madhëron të dënuarit kroat për krime lufte, prandaj udhëton në Kosovë që ta mbështes Thaçin që e ka bërë të njëjtën në Kosovë. Urrejtja ndaj serbëve është programi i saj politik që nuk duhet të marr mbështetje evropian”, ka thënë Jugovic.