Vitaly Churkin, Hoxhajt: Nuk ke të drejtë të flasësh

Vitaly Churkin, Hoxhajt: Nuk ke të drejtë të flasësh

I padurueshëm dhe skandaloz ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin.

Kur ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ishte në mesin e adresimit para mediave (pas orës 03:00 sipas kohës sonë), Churkin u afrua tek vendi i press konferencave.

“Nuk ke të drejtë të jesh aty dhe të flasësh pa prezencën e UNMIK-ut”, tha ai nga korneri. “Nuk mendoj kështu”, u përgjigj ministri Hoxhaj dhe vazhdoi të marrë pyetje të gazetarëve, raporton Indeksonline.

Kur përfundoi çfarë pati për të thënë, Hoxhaj u nis andej nga ishte Churkini. Ia zgjati dorën e qeshi me aktin e tij. Ai i tregoi prapë se nuk ishte mirë çfarë bëri dhe pastaj foli vetë.

Churkin tha se i respekton përfaqësuesit e Prishtinës dhe gjithmonë i dëgjon me vëmendje kur vijnë e flasin në OKB, por ata në ndërtesën e OKB-së nuk mund të flasin pa prezencën e UNMIK-ut. Sipas tij, askush nuk u tregon çfarë të bëjnë në restorantet apo parqet e Nju Jorkut, por në OKB ka rregulla.

Pas pyetjeve të vazhdueshme të gazetarëve kosovarë, Churkin u nervozua. “Ishte thjesht këshillë miqësore. Nuk është se e grushtova zotin Hoxhaj”, tha ai.

Churkin pranoi se është i shqetësuar sepse nuk mori përkrahjen për Serbinë të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit.