Vit i vështirë për ekonominë e Kosovës

Vit i vështirë për ekonominë e Kosovës

Vit i vështirë për ekonominë e KosovësKryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se për të dalë nga kjo gjendje në të cilën gjendet ekonomia e Kosovës duhen bërë reforma të thella të politikave ekonomike, të cilat do të rezultonin me investime të shumta

Ekonomia e Kosovës këtë vit, pavarësisht premtimeve të Qeverisë se reformat në politikat ekonomike do të realizohen këtë vit, ka marrë teposhtën. Edhe pse Kosova ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon, ajo prapëseprapë nuk po sjell shumë prosperitet për qytetarët.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se për të dalë nga kjo gjendje në të cilën gjendet ekonomia e Kosovës duhen bërë reforma të thella të politikave ekonomike, të cilat do të rezultonin me investime të shumta. Shahini ka vlerësuar se investimet publike që po bëhen në Kosovë, sidomos në sektorin e infrastrukturës rrugore, krijojnë mundësi për të sjellë investime, por duhet të punohet më shumë që të binden investitorët e huaj se Kosova ofron mundësi të mira për ta.

“Rritja ekonomike e Kosovës, që është paraparë të jetë rreth 4 për qind, është si rezultat i investimeve publike, por edhe remitencave që ende po vazhdojnë ta mbajnë gjallë Kosovën”, ka thënë ai.

Shahini ka deklaruar se në këtë vit prioritet i Qeverisë së Kosovës ka qenë përmbyllja e dialogut me Serbinë. Sipas tij, lënia anash e reformave ekonomike ka bërë që të kemi një ngecje të zhvillimit ekonomik. Shahini ka thënë se edhe pse Qeveria, edhe këtë vit, ka pasur shumë takime që kanë pasur qëllim promovimin e Kosovës dhe thithjen e investimeve, ajo ka dështuar në sjelljen e më shumë investimeve. “Institucionet kanë dështuar në promovimin e Kosovës.

Ministritë nuk duhet të merren me punët e jashtme, sepse me atë punë merret Ministria e Punëve të Jashtme e po ashtu nuk duhet të ketë prirje të kompetencave, sepse ministritë që janë përgjegjëse për punët e brendshme për çështje ekonomike duhet t’i kryejnë punët këtu”, ka thënë ai, duke ka shtuar se në këtë vit janë mbyllur shumë biznese për shkak të politikës së disfavorshme.

Shahini është ndalur edhe te privatizimi që po vazhdon të aplikohet në Kosovë. “Për neve ky privatizim që nga fillimi ka qenë eksperimental dhe se nuk ka pasur shumë sukses. Kjo ka bërë që shumë biznese të futen në borxhe të mëdha dhe në kredi dhe të mos kenë mundësi t’i shlyejnë ato”, ka deklaruar ai. Sa iu përket depozitave të larta që janë në bankat e Kosovës,Shahini ka thënë se kjo është një dëshmi e mirë se Kosova ka një stabilitet të mirë financiar.

“Bankat duhet ta ndryshojnë qasjen e tyre. Ato duhet të jenë partnerë me biznesin, por jo me këtë normë të lartë të kredisë”, ka thënë ai. Sipas tij, zhvillimi i sektorit privat është një mundësi e mirë sepse hapen shtigje të reja të zhvillimit ekonomik.
Kreu i AKB-së ka folur edhe për ikjen e qytetarëve të Kosovës në vende të ndryshme të Evropës.

Ai ka deklaruar se duhet urgjentisht të merren masa që të kemi zhvillim të brendshëm, pasi ikja e rinisë nuk është e mirë për Kosovën. Shahini ka vlerësuar se remitencat edhe në këtë vit kanë qenë burim për shumë qytetarë të Kosovës.
“Megjithëse remitancat janë të mira për qytetarët e Kosovës, ato po shfrytëzohen vetëm për konsum ditor ad-hoc e kjo nuk shkon në të mirë të zhvillimit të ekonomisë. Pra, remitancat tona, siç vijnë, ashtu menjëherë eksportohen në para të gatshme”, është shprehur ai.

AKB-ja promovon biznesin vendor

Shahini është shprehur se këtë vit AKB-ja i ka organizuar disa aktivitete që kanë pasur qëllim promovimin e biznesit vendor dhe promovimin e produkteve vendore. “AKB-ja ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik në Shkup, kurse aktivitet tjetër ka qenë pjesëmarrja në Kongresin për Ekonomi në Bukuresht të Rumanisë. Pjesëmarrja jonë në këto aktivitete është mbështetur nga Qeveria e Kosovës”, ka theksuar ai, duke përmendur edhe “Berëzën e Punësimit”, e cila është mundësi e mirë që të rinjtë kosovarë ta gjejnë një vend pune.