Vetura e vjedhur në Serbi, gjendet në veri të Mitrovicës
Vetura me targa italiane e vjedhur në Serbi pas një pune të suksesshme të Njësisë hetimore të Policisë së Kosovës zbulohet dhe konfiskohet në Veri të Mitrovicë.
Policia e Kosovës me 11 gusht ka pranuar një informatë nga Interpoli për një automjet të vjedhur.
“Vetura e vjedhur ishte e markës Pasat Karavan me targa italiane dhe e njëjta është vjedhur më 09.08.2010, në Republikën e Serbisë. Pas kërkesës urgjente të Interpolit njësia përkatëse rajonale e auto-krimeve Mitrovicë ka filluar një punë intensive operativo-hetimore për gjetjen e veturës së vjedhur”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, pas tri orësh punë intensive dhe kërkimeve në mënyrë profesionale policia ka arritur ta gjejë veturën e vjedhur në rrugën “Kolashini”, në qytetin e Mitrovicës e cila ishte e braktisur në këtë lagje.
Vetura është konfiskuar nga Policia e rajonit të Mitrovicës dhe ende nuk dihet kryesi i kësaj vepre penale, ndërkohë që janë duke vazhduar procedurat për kthimin e veturës së vjedhur përkatësisht të gjetur tek autoritet e Interpolit.