VV: Kosova po humb kontrollin mbi resurset e veta

Vetëvendosja: Kosova po humb kontrollin mbi resurset e veta

VV: Kosova po humb kontrollin mbi resurset e vetaLëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media shfaqi shqetësimet e veta lidhur me me çështjen e sektorit të Energjisë, KEDS dhe pasojat e pritshme të negociatave Thaçi – Daçiq në lidhje me këtë çështje.

“Çështja e energjisë, e cila është diskutuar në disa raunde të bisedimeve dhe në të cilat për aq sa është biseduar, pra e dimë se janë dy pozicione të cilat sipas Kryeministrit Thaçi tash janë përafruar.

Pozicioni i parë është ai i Kosovës, në të cilin Kosova e ka pranuar se për sa i përket mbledhjes pra, inkasimit të energjisë elektrike të faturuar për pjesën veriore dhe po ashtu leximit të njësorëve, KEDS-i Kompania që e privatizoi Rrjetin e Distribucionit të Kosovës ta ketë një Kompani kontraktuese që do ta kryej këtë punë për KEDS-in në veri.

Pozicioni i Serbisë është që kompania që do të licencohet për distribuimin e energjisë elektrike të jetë distributor, e jo vetëm kompani virtuale që merret me inkasimin e faturave dhe si distributor ajo ta pronësojë edhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, ta ketë në pronësi edhe në agjendë edhe hidrocentralin e Ujmanit, pra të jetë edhe kompani që merret me gjenerimin e energjisë elektrike. Ky është pozicioni i Serbisë. Kryeministri Thaçi, të vetmen informatë që e ka dhënë deri më tash është që pozicionet janë përafruar dhe ky përafrim nuk dihet se për çfarë është.

Ndërkohë që oferta e Qeverisë së Kosovës, për zgjidhjen e kësaj çështje, nuk është se e ndryshon shumë pozicionin apo këtë plan të Serbisë, meqenëse është komplementar me planet që i ka Serbia. Ky përafrim tash, duke u nisur nga historiku i negociatave e dimë pra në çfarë mënyre ka shkuar, është shumë lehtë të supozohet që Kosova ka qenë ajo që ka lëshuar pe edhe në këtë përafrim, duke iu afruar pozicionit të Serbisë sa i përket kësaj çështje, tha Visar Ymeri.