vvVetëvendosja: Fondi për veriun zhvillim drejt autonomisë

Vetëvendosja: Fondi për veriun zhvillim drejt autonomisë

vvVetëvendosja: Fondi për veriun zhvillim drejt autonomisëLëvizja Vetëvendosje kritikoi sot themelimin e fondit për zhvillim të veriut. Në një konferencë për media, zyrtarët e kësaj lëvizje thanë se ky fond është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe si i tillë i garanton autonominë veriut të vendit.

Me themelimin e Fondit Zhvillimor për Veriun, thesarit të Kosovës po i shkëputet një pjesë e madhe e buxhetit. Kështu vlerësuan zyrtarët e lëvizjes Vetëvendosje. Në një konferencë për media, nënkryetari Shpend Ahmeti tha se përveç ndarjes funksionale ky fond promovon edhe ndarjen territoriale të shtetit të Kosovës.

“Në njërën anë të dalësh dhe të thuash s`ka autonomi, ndërsa në anën tjetër t`i japësh 100 për qind të financave të mbledhura në pikat doganore të një shteti, nuk është asgjë tjetër pos autonomi. Autonomia brirë s`ka. Qeveria e Kosovës do të duhej të mendonte për tërë Kosovën dhe buxhetin ta konsideron si fond zhvillimor për vendin”, tha Ahmeti.

Ahmeti më tej tha se të hyrat mujore për kokë banori në veri të Mitrovicës janë dy herë e gjysmë më ta larta se në jug të lumit Ibër, transmeton RTK.

Sipas tij, në vend të fondit zhvillimor për veriun, Vetëvendosje është për zhvillimin dhe konsolidimin e Kosovës e jo për fonde ndarëse, jodemokratike e diskriminues.

Dardan Sejdiu potencoi se duke qenë se të hyrat doganore janë para publike, kjo marrëveshje dëmton rëndë qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Sipas tij, fondi privilegjon në mënyrë jo kushtetuese një pjesë të caktuar dhe për më tepër menaxhohet nga një trup pa legjitimitet.

“Në vend që mjetet të derdhen ashtu siç parashihet në ligjin për menaxhimin e financave publike, këto derdhen në një llogari të bankës komerciale dhe nuk shkojnë fare në Kuvendin e Kosovës. Pra, këto mjete menaxhohen nga një trup i tretë, pra nga një bord i cili nuk është i votuar”, tha Sejdiu.

Zyrtarë të Vetëvendosjes, vlerësojnë se me këtë hap Qeveria ka tentuar ta zhvesh Kuvendin në tërësi nga çdo lloj vendimmarrje për paranë publike të mbledhura nga pikat doganore 1 dhe 31. Sipas tyre, Qeveria ka vendosur t’ia besojë menaxhimin një bordi i cili duhet të vendosë për investimet kapitale dhe infrastrukturore që duhen të bëhen nga këto mjete e që në fakt është bord pa legjitimitet.