765555

Veriu i Kosovës do të nënshkruaj grantet e BE-së për përkrahjen e biznesit dhe bujqësisë

Katër qendrat që i takojnë Rajonin Ekonomik Verior janë dakorduar për implementimin e granteve të financuara nga BE-ja për përforcimin e biznesit dhe bujqësisë në rajon.

Komuna e Mitrovicës, Zubin Potokut, Skenderajit dhe Vushtrrisë do të implementojnë projekte për promovimin e bujqësisë – hortikulturës, blegtorisë dhe pemëtarisë, përkrahje për iniciativa të ndërmarrësisë dhe qendrën rajonale për biznese familjare.

Grantet janë pjesë e Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE-së (EURED) që në mënyrë specifike krijon standarde më të mira për rajonin verior dhe në përgjithësi për Kosovën. Këto janë projektet e para që do të fitojnë nga skema e granteve në vlerë prej 1.1 milion euro, ndërsa përkrahja zhvillimore parashihet për fillim të vitit të ardhshëm.

Kjartan Björnsson, Drejtor i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së, tha: “Synimi jonë i përbashkët është përmirësimi i ekonomisë dhe krijimi i vendeve të punës. Kjo nuk është e tëra dhe dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë aktorët relevantë që të punojnë më shumë dhe të përqendrohen në zhvillimin e kësaj pjese të Kosovës”.

Kryesuesi i Bordit Udhëheqës të AZHR-Veri, tha: “Ky është motivim dhe obligim për ne që të punojmë më shumë për përmirësimin e kushteve të jetës dhe standardit të qytetarëve”.

AZHR-Veri ka punuar ngushtë me partnerët zhvillimor (ku përfshihen zyrtarët komunal, organizatat e shoqërisë civile dhe sektori privat) për të identifikuar prioritetet strategjike të rajonit dhe zhvillimin e projekteve për implementimin e këtij vizioni. Zveçani dhe Leposavici ende nuk janë pjesë kësaj mirëpo përgjithmonë inkurajohen t’i bashkohen procesit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE-së.