VlastimirGjorgjevic

Vendimi për Vlastimir Gjorgjeviq, më 23 shkurt

Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në ish Jugosllavi njoftoi se më 23 shkurt do ta marrë vendimin për gjeneralin e policisë serbe, Vlastimir Gjorgjeviq, lidhur me rolin e tij në “spastrimin etnik” të shqiptarëve në Kosovë.

Pas gjykimit, që zgjati më shumë se dy vjet, gjatë të cilit u paraqitën 105 dëshmitarë të prokurorisë dhe u prezantuan më shumë se 2 500 dëshmi, Gjorgjeviq do ta mësojë fatin e tij për krimet që pretendohet se janë kryer në periudhën janar-qershor 1999.

62 vjeçari Gjorgjeviq u gjykua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për vrasjen e qindra shqiptarëve dhe dëbimin e 800 mijë të tjerëve nga Kosova.

Prokurori i Tribunalit, Chester Stamp e ka akuzuar Gjorgjeviqin për pjesëmarrje në fushatën për “spastrim etnik”. Ky gjeneral i policisë serbe njihet si përgjegjësi kryesor edhe për zhvarrosjen e të vrarëve shqiptarë në Kosovë dhe transportin e tyre për në varrezat masive në Serbi, disa prej të cilave janë zbuluar.

Gjorgjeviq një kohë fshihej në Rusi, kurse në vitin 2007 u arrestua në Mal të Zi, ku ishte paraqitur me emër të rrejshëm.
Ai u deklarua i pafajshëm në vitin 2009 dhe i tha gjykatës se operacionet që i mbikëqyrte nuk ishin drejtuar kundër civilëve, por kundër “terroristëve” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në korrik, 2010, prokurorët i kërkuan gjykatës që ta dënojë atë me 35 vjet burg.    /koha