Vazhdojnë denoncimet kundër agjencisë "Airwings"

Vazhdojnë denoncimet kundër agjencisë “Airwings”

Vazhdojnë denoncimet kundër agjencisë "Airwings"Qytetarët e mashtruar, kryesisht mërgimtarë kanë vazhduar me denoncimet lidhur me mashtrimin e tyre nga agjencia turistike “Airwings”.

Gjatë tentimit për të kontaktuar edhe në zyrën e kësaj kompanie në Kërçovë e cila njihet edhe me emrin “Airwings International”, nuk ka pasur asnjë përgjigje përmes telefonit, i cili ka vazhduar të funksionojë në zyrën në Maqedoni.

Por, përkundër kësaj, kjo kompani do të përgjigjet penalisht para organeve të drejtësisë për shkak të denoncimeve të bëra nga mërgimtarët që kanë prenotuar biletat dhe më pas kanë ngelur të boshatisur dhe braktisur në aeroportet e Zvicrës, gjegjësisht ate të Baselit.

Një qytetar nga Tetova ka theksuar për INA se katër anëtarë të familjes së tij kanë pasur probleme me këtë kompani.  “Biletën e kishim kthyese prej Baselit në Shkup dhe anasjelltas. Problemi ndodhi edhe për mua dhe ngela i mashtruar dhe mu desht që ditën tjetër të udhëtojë për në Prishtinë, për shkak se fluturimi i ditës 24.07.2013 Shkup – Basel ishte anuluar. Më vjen mirë që po trajtoni një temë të tillë dhe të mos gënjehen më mërgimtarët, të cilët vijnë për pushime për pak ditë”, thekson qytetari tetovar.

Siç bëhet e ditur mbi 16 udhëtarë kanë denoncuar agjencinë turistike Airëings me zyrat e saj në Maqedoni dhe Zvicër për mashtrime.

Denoncimet vijnë në adresën e agjencisë së lajmeve INA, ku udhëtarët që theksojnë se janë të mashtruar kanë akuzuar ashpër dhe kanë alarmuar institucionet zvicerane për mashtrimin e bërë nga kjo agjenci, duke shitur bileta, ndërsa më pas, duke i lënë udhëtarët në aeroporte.

K. Krasniqi, 69 vjeçe, me gjendje jo të mirë shëndetësore ka qenë viktimë e këtij mashtrimi. Ajo ka theksuar se është dashur që të fluturojë me një avion tjetër, pasi që ka qenë viktimë e mashtruar. Ajo kishte pasur pushimin vetëm dyjavësh dhe duhej që të ishte në Zvicër, për shkak të termineve mjekësore.

Edhe Gj.Shala, 51 vjeç thekson se ishte i mashtruar dhe se ai ka ngritur akuzë ndaj kësaj kompanie në Schaffhausen në Zvicër.

Udhëtarët theksojnë se denoncimet i kanë bërë edhe në Schaffhausen të Zvicrës, pasi që kjo agjenci ka zyrën e saj në këtë qytet. Por, udhëtarët që theksojnë se janë mashtruar kërkojnë hetime edhe nga autoritetet e Maqedonisë, pasi që sipas tyre agjencia ka adresën në Kërçovë.

Prap se prap, kjo kompani ka portalin e saj në internet dhe vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta. Në aeroportin “Euroaeroport ” në Basel të Zvicres theksojnë se kjo kompani nuk lajmërohet edhe pse klientët e telefonojnë dhe kërkojnë hollësi për ndihmë.