Vatikani mbështet rrugëtimin integrues të Shqipërisë

Vatikani mbështet rrugëtimin integrues të Shqipërisë

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u pritën sot paradite në një audiencë të veçantë nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në një nga mjediset kryesore të Kishës Katolike të Vatikanit, në Romë.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shqiptare, sidomos në drejtim të ruajtjes e forcimit të bashkëjetesës e harmonisë fetare në Shqipëri, transmeton BalkanWeb.

“Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve e aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e familjes së madhe evropiane”, u shpreh Presidenti Topi.

Gjithashtu, Presidenti Topi vuri në pah “vlerat e papërsëritshme të historisë së bashkëjetesës mes besimeve fetare në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga komunitetet fetare në vendin tonë”, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e përfaqësuesve e drejtuesve të tyre “në realizimin e qëllimeve fisnike në shërbim të besimit, harmonisë, paqes dhe demokracisë në Shqipëri”.

Nga ana e tij, Papa Benedikti XVI theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillimin të mëtejshëm të vendit në të gjitha fushat, por dhe në realizimin e aspiratës integruese për në Bashkimin Evropian, edhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së saj”.

Ati i Shenjtë vlerësoi gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndërfetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore, duke e konsideruar si “një shembull unik të evidentimit të vlerave më të mira paqedashëse njerëzore”.

Në kuadër të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës e ftoi Atin e Shenjtë, Papa Benediktit XVI që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.