Varret antike të Valeresë shkatërrohen me ekskavator

Varret antike të Valeresë shkatërrohen me ekskavator

Varret antike të Valeresë shkatërrohen me ekskavatorTrashëgimia kulturore shqiptare, monumente e kulturës vijojnë të jenë pre e dëmtimeve dhe grabitjeve që po ndodhin gjatë kësaj kohe në territorin e vendit.

Nga një skandal në tjetrin, duket se institucionet përkatëse nuk janë në gjendje që të ndalojnë dëmtimet dhe shkatërrimet që po ndodhin. Dëmtimi më i fundit vjen në komunën e Lunxhërisë në qytetin e Gjirokastrës. Persona të panjohur kanë shkatërruar me ekskavator pjesën e mbetur nga një grumbull prej katër varresh antike, që ndodhen në fushën e Valaresë, në këtë komunë.

Tuma e Valaresë ishte një nga monumentet e rëndësishme të Luginës së Drinosit dhe misionet arkeologjike kishin tentuar të ruanin katër varret e mbetura të saj nga dëmtimet e njëpasnjëshme, që nga koha e zbulimit në vitin 1970, por nuk arritën të koordinonin punët me institucionet lokale dhe ato qendrore. Varret, të cilat i përkasin periudhës historike të shekullit IV- III para Krishtit, janë dëmtuar fillimisht në vitet e komunizmit, gjatë aksioneve për “hapjen e tokave të reja”, të rizbuluar në mars të vitit 2008.

Rizbulimi i katër varreve antike të mbetura është bërë në vitin 2008, gjatë inkursioneve të një ekspedite informative të organizuar nga Sektori Arkeologjik i Butrintit, në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Antigonesë, për të fotografuar dhe dokumentuar kështjellat, sitet dhe objekte të tjera arkeologjike që gjenden në Luginën e Drinos, ndërkohë që është ridokumentuar edhe nga Misioni Arkeologjik Shqiptaro-Italian pak kohë më pas.

Sipas ish-punonjësit të administratës së komunës Lunxhëri, Pashun Memishaj, problem i ndërhyrjes me mjete motorike gërmimi në këtë zonë akeologjike, ende të pastudiuar plotësisht nga ekspertët e arkeologjisë është bërë publik nga një këshilltar në mbledhjen e fundit të këshillit të komunës së Lunxhërisë, dhe më pas ai ka njoftuar përfaqësuesit e medias lokale dhe ato qendrore në Gjirokastër.

Në vendngjarje dallohet qartë se një skrap që ka ndërhyrë, ka zhvendosur pllakat e varreve të vjetra dhe në sipërfaqe të territorit dallohen qartë edhe pjesë të eshtrave të shpërndara midis dheut të gërmuar. Ndërkaq që kërkesat e përsëritura në vite për ta shpallur monument kulture të kategorisë së parë nuk janë marrë kurrë në shqyrtim. Ky zbulim dhe studim nxori në pah të dhëna për kulturën dhe mënyrën e jetesës së kësaj zone në shekullin e 13-të. Përveç dëmit studimor, shkatërrimi i tumës ka hequr nga harta e turistëve një vend të vizitueshëm.