Varfëria dhe papunësia, shkaktarë kryesor për ikje nga Kosova

Varfëria dhe papunësia, shkaktarë kryesor për ikje nga Kosova

Varfëria dhe papunësia, shkaktarë kryesor për ikje nga KosovaIku edhe një autobus për Beograd i mbushur me burra, gra, fëmijë e shumë të rinj, duke shpresuar për një jetë më të mirë, pa e ditur se çfarë i pret.

Në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, u përshëndetën me njëri-tjetrin me lot në sy, e duke uruar fat. Një i moshuar i përlotur i cili përqafoi nipat e mbesat, tregoi se përcolli vajzën me gjithë fëmijë, sepse siç tha, këtu nuk kishte asgjë.

“E përcolla çiken me dy fëmijë. Në Gjermani po thonë me shku. Jemi të Hades. Nuk hahet buka thatë. Nuk janë duke punuar, gjithë ditën sillen.”

Kushtet jo të mira për jetë dhe numri i madh i të papunëve, ka bërë që shumë qytetarë të Kosovës të lënë vendin, për të ikur në shtetet e Evropës Perëndimore.

Fitim Shala nga Zabeli i Drenasit, thotë se nuk ka gjetur zgjidhje tjetër përpos rrugës së kurbetit. Ai së bashku me gruan dhe tre fëmijë, hipën në autobus për të vazhduar rrugën me shpresën se në çdo vend tjetër do të jetë më mirë se në Kosovë.

“Çka me nejt këtu, një social e kam marrë edhe atë ma kanë ndalë. I kam marrë nga 80 euro i kanë nalë edhe ato. Më thanë që ke shpi, po të gjithë kanë shpija. Krejt familjen e kam pa punë. Me gru e me fëmijë kësmet kam vendosur me shku. I kam tre fëmijë, njëri i ka 10 vjet, njëri 8 dhe i vogli 3 vjet. Në Gjermani po shpresojmë, po thonë ma mirë, po i pranojnë azil po i japin social. Shteti jonë nuk ka kurgja, po bëjnë hajgare me popull, po na majnë peng. Le të vjen një qeveritar e lë të më thotë këtu që ma gjen një vend pune me 200 euro, unë nuk shkoj askund.”

Valmir Deliu, një i ri nga Skenderaj, u nis pa e ditur se çfarë e pret. Po e provoj fatin thotë ai, pasi në Kosovë nuk ka gjetur asnjëherë punë. Kjo situatë sipas tij, është më e vështirë se përjetimi i luftës.

“S’ke ku kërkon punë, vetëm me të njohshëm ose me para. Vendosa të dal për një jetë më të mirë. Boll kemi hjek në luftë e qe 15 vjet tu prit, e më shumë na ka shkatërruar qe 15 vjet, se lufta. Po e provoj fatin, sigurt s’ka asgjë veç vdekja.”

Dy të rinj nga Suhareka, Valoni 21- vjeçar dhe një tjetër që nuk deshi të thotë emrin, nuk shohin perspektivë në vendin e tyre. Të diplomuar në degën menaxhment, kanë konkurruar disa herë për punë, por nuk janë pranuar.

“Vendosa me ikë se në Kosovë nuk ka kurgja. Shkollën e kam kry. Unë mendoj se në Kosovë njëherë nuk ka kurgja. Po mendoj të shkoj në Gjermani. Sa shumë jemi me fakultet e jemi tu nejt. Duhet me i dhënë 10 mijë euro për me gjet punë. Nuk kam lënë vend pa konkurru, s’ka kurgja. Për Gjermani jemi nisë e nuk e besoj që është me keq se këtu.”

Azem Hasani nga Vushtrria, i cili punon si kamerier në një restorant të Prishtinës, thotë se me pagën që merr nuk ia del të mbajë familjen. Ai ka ndërtuar një shtëpi duke marrë kredi, por siç thotë, ajo nuk e siguron të ardhmen e fëmijëve të tij.

“Së pari gjendja ekonomike, kushtet për fëmijë e të ardhmen, kam vendosur me lënë Kosovën. Jam duke punuar për momentin, si kryekamerier në një piceri në Prishtinë. Punoj dy ndërrime, 13 orë në ditë. Du me lanë, me shku me provu fatin, për shkak të fëmijëve. Kushtet janë të rënda, jam në kredi pasi kam ndërtuar një shtëpi, afër 10 mijë euro. Nuk po mundem me mrri me pagu të gjitha borxhet edhe pse punoj me dy ndrrime.”

Fëmijët e Azemit janë të moshave 10 dhe 6 – vjeçare. Ai mendon të shkojë në Gjermani, duke parashikuar të gjitha rreziqet e rrugës deri atje.

“Mendoj që rrezikohemi, mendoj që kemi me mbet edhe në kamp. Është e mundur që ndoshta kalon ndoshta nuk kalon. Një rrugë pa kry. Nuk i dihet fatit. Unë kam vendosur të shkoj për Gjilan, e pastaj me shku me autobus për Bujanovc e pastaj për Beograd.”

Ndërkohë, në fshatin Bilincë të Gjilanit, kanë mbetur vetëm gjashtë familje, të cilat gjithashtu po organizohen për të ikur, pasi të gjithë banorët e tjerë janë larguar nga ky fshat për në vendet e Perëndimit. Edhe përfaqësuesi i fshatit, Bahti Rashiti, ka planifikuar të ikë.

“Edhe vet du mu shpërngulë. Nuk është e lehtë aspak, sepse fëmijët ndahen prej shkollës, shkollat mbesin bosh, fshati mbet bosh. Rruga nuk është e sigurt aspak. Ne e kuptojmë këtë si të fundit, si jetë a vdekje, ose përndryshe nuk kemi kurrfarë zgjidhje tjetër, nuk kemi përspektivë, kulminacioni ka mbërri i të keqes me jetën, papunësinë.”

Banorët e paktë që kanë mbetur në këtë fshat, të mllefosur flasin për arsyet e ikjes.

“Me ec, pa punë çka të bëjmë këtu. S’ka më shpresë. Kam mbetur me gruan, me nënën dhe me tre fëmijë. S’kam punuar dhe nuk do të punoj me këtë qeverinë e sotme jemi ftohur ne që jemi këtu. Punoj me dru, por na zënë policia e na dënojnë me nga 1 mijë euro. Kam qenë në Hungari e do të shkoj prapë. Ku me jetu këtu, ne po duhet me vjedh vëllai vëllain, as bukë s’po kemi me u ngi.”

Shkolla e fshatit Bilincë ka mbetur me katër nxënës. Mësuesi Xhemail Bllaca, thotë se ky është një përjetim shumë i dhimbshëm.

“Shkolla është, por nxënës nuk kemi më. Kanë shkuar ata… Apeli im është që të mos shkojnë, por të mbeten këtu. Sigurisht do të ketë perspektivë në të ardhmen.

Largimi masiv i qytetarëve nga Kosova, po ndodhë për shkak të zhgënjimit të qytetarëve me shtetin e Kosovës, thotë sociologu Artan Muhaxhiri. Sipas tij, ky largim nuk po ndodhë vetëm për shkak të kushteve të rënda ekonomike, pasi në mesin e tyre ka edhe njerëz që lënë punë të mirë, shtëpi e pasuri, në kërkim të një jete më të mirë. Socilogu Muhaxhiri thotë se arsyeja kryesore e largimit masiv të qytetarëve është humbja e besimit në shtetin e Kosovës. Ai gjithashtu thotë se edhe varfëria e papunësia janë faktorë, që çojnë qytetarët drejt rrugëve të Evropës.

“Kjo po ndodhë vazhdimisht dhe kjo ka bërë që qytetarët ta humbin besimin në shtet. Prandaj edhe me shfaqjen e mundësisë së parë për t’u larguar nga Kosova ka qenë e pritur që këta njerëz do të largohen. Pra ekziston një varfëri e papunësi shumë e madhe, por ajo që mungon më së shumti është shpresa dhe perspektiva se këto probleme të mëdha mund të zgjidhen.”

Muhaxhiri thotë se Fenomeni i emigrimit tashmë është shndërruar në një çështje e cila ka rëndësi jetike për Kosovën. Sipas tij emigrimi aktual i qytetarëve të Kosovës, ka një lloj menaxhimi të padukshëm nga vendet evropiane.

“Me siguri ekziston një arsye e qartë se pse po lejohet ky emigrim pikërisht në këtë moment dhe pikërisht nga Kosova. Mirëpo derisa nuk kemi asgjë zyrtare, atëherë vetëm supozojmë. Por është më se e sigurt se ky emigrim është i kontrolluar, është i menaxhuar dhe ka qenë i planifikuar.”

Ndërkohë, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, partive politike të pozitës dhe opozitës, Presidentja Atifete Jahjaga, vazhdojnë t’iu bëjnë thirrje qytetarëve të mos ikin nga Kosova. Ata premtojnë se perspektiva e tyre është në Kosovë, duke e ndërtuar së bashku të ardhmen, duke premtuar projekte të ndryshme e vende pune, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve. Edhe përfaqësues të shteteve të Bashkimit Evropian i kanë bërë thirrje shtetit të Kosovës që të gjejnë mekanizma për të ndaluar emigrimin. Përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë bërë të qartë se asnjë shtet i BE-së nuk do të pranojë azil për kosovarët. Shumica e kërkesave do të refuzohen dhe ata do të riatdhesohen në Kosovë.

E pavarësisht të gjitha këtyre thirrjeve dhe deklaratave, ajo që i bën më shumë qytetarët e Kosovës të largohen drejt rrugëve pa rrugë, është humbja e shpresës. Ata kanë humbur shpresat se në Kosovë do të ketë jetë të mirë, kanë humbur shpresat se mund të realizohen premtimet e politikanëve për hapje të vendeve të punës. Për këto dhe shumë arsye të tjera, lamtumira në Stacionin e Autobusëve vazhdon… (RTK)