View-from-Manhattan-

Uragani Irene godet Nju Jorkun

Ndonëse vazhdojnë erërat, uragani Ajrin është dobësuar. Ai pritet të lërë Nju Jorkun për të lëvizur drejt Kanadasë mbrëmjen e së dielës.

“Aktualisht, qielli duket më i hapur”, tha Xhozef Bruno, komisionar i Menaxhimit të Emergjencave.

“Ka disa pjesë të qytetit që vazhdojnë të kenë përmbytje dhe shi, por në përgjithësi mendoj se ia kemi dalë”, tha Bruno për CNN.

Uragani Ajrin thuhet se përbën fatkeqësinë rekorde të Shteteve të Bashkuara në vitin 2011.

Uragani Ajrin (Irene) ka përfshirë Nju Jorkun, me erëra të ashpra dhe kërcënime për përmbytje.

Nju Jorku thuhet t’i ngjajë një qyteti fantazmë pasi më shumë se 370 mijë njerëz janë evakuuar, ndërsa transporti publik është ndërprerë tërësisht.

Zyrtarët në Nju Jork paralajmërojnë se rreziku më i madh vjen nga përmbytjet, të shkaktuara jo vetëm nga reshjet tropikale, por edhe nga baticat e larta të Oqeanit Atlantik.

Presidenti amerikan Barak Obama, i cili ka ndërprerë pushimet e tij vjetore për shkak të fatkeqësisë, ka vizituar qendrën e operimeve të Agjencisë Federale të Emergjencave.

“Do të jetë një goditje e fortë”, ka thënë Obama gjatë një telekonference, ku kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë federalë dhe agjenci të qeverisjes vendore. Ekspertët thonë se dëmi që mund të shkaktojë uragani Ajrin, mund të kapë vlerën e 12 miliardë dollarëve.

Uragani Irene raportohet ta ketë zvogëluar fuqinë dhe aktualisht renditet në kategorinë 1, që është shkalla minimale në tabelën prej 1 deri në 5. Megjithatë, ai konsiderohet ende me potencial rreziku.

Uraganet thuhet të jenë të rralla në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I fundit që ka goditur Nju Jorkun ishte Gloria, më 1985, por këtë herë autoritetet thonë se janë më të përgatitura.

httpv://www.youtube.com/watch?v=GJLlHnY0xf8