Ura shekullore e Velabishtit, së shpejti nis restaurimi

Ura shekullore e Velabishtit, së shpejti nis restaurimi

Një prej veprave të shpallura monument kulture në qytetin e Beratit, Ura e Velabishtit, së shpejti do t’i nënshtrohet restaurimit.

Ura e rrallë për nga vlerat arkitenktonike dhe historike, e cila prej vitesh ishte lënë në mëshirë të fatit, do të restaurohet nga specialistë të monumenteve të kulturës.

Drejtori i Monumenteve të Kulturës Lonik Çuedari bëri me dije se projekti për shpëtimin e vlerave muzeale në këtë qytet, parashikon madje dhe ndërtimin e një tjetër ure në fshatin Velabisht, çka do të mundësojë qarkullimin e mjeteve në zonën ku ndodhet.

Çuedari bënë me dije se pas shqetësimeve të ngritura herë pas here për problemin e rrënimit të Urës së Velabishtit, është mundësuar lëvrimi i një fondi prej 250 milionë lekësh të vjetra për ndërtimin e një ure të re dhe restaurimin e urës aktuale.

Në bashkëpunim me Komunën Velabisht, me një pjesë të këtij fondi të akorduar nga Fondi i Zhvillimit, do të ndërtohet një ure e re në këtë fshat, ndërkohë që një pjesë tjetër do t’i kalojë Monumenteve të Kulturës për të restauruar urën aktuale. Ura aktuale thuajse është shkatërruar në parmakët e saj, bazamentin dhe këmbët që ndodhen në breg të lumit. Projekti i hartuar nga Monumentet e Kulturës parashikon restaurimin e plotë të saj, ndërkohë që punimet pritet të fillojnë së shpejti.

Por, sipas drejtorit Çuedari, shpëtimi i vetëm i kësaj ure monument kulture i kategorisë së parë do të mundësohet vetëm me ndërtimin e një ure tjetër.
Kalimi mbi urë i mjeteve të tonazhit të rëndë do të sillte sërish rrënimin e saj edhe pas restaurimit.

Për të shmangur këtë, në bashkëpunim me Komunën Velabisht, do të zhvillohet tenderi që me fondet e akorduara të ndërtohet një tjetër urë. Aktualisht ura lidh shumë fshatra, disa komuna me qendrën e Beratit, ndërkohë që në këtë zonë kryejnë aktivitetin e tyre firma të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit, si dhe firma, fasone, ndërmarrje të ndryshme industriale./GazetaShqiptare/