Ukshin Hajdini : Krimi dhe kriminelët duhet të dënohen

Ukshin Hajdini : Krimi dhe kriminelët duhet të dënohen

Ukshin Hajdini : Krimi dhe kriminelët duhet të dënohenUkshin Hajdini ende e ka të freskët datën e granatimit në lagjen “Qenar Qeshme”. Ai është dëshmitarë ku janë vrarë e plagosur qytetarë civil të pafajshëm derisa serbët granatonin këtë lagje nën urdhrat e Vitomir Iliqit.

As UNMIK-u e as prokurorët e gjykatësit shqiptarë kurrë nuk i ndoqën penalisht ata që urdhëruan këto vrasje thotë për rajonipress Ukshin Hajdini. Kurrë nuk jam pyetur as nga policët e as nga prokurorët vendor e as ndërkombëtarë. Këta prokurorët tanë një ditë do t`i gjykojë edhe historia për këtë neglizhencë dhe mos guxim për të ndihmuar dhe zbardhur të vërtetën shprehet ai.

Me fillimin e bombardimeve të NATO-së (24 mars 1999) mbi caqet e ushtrisë serbe në Kosovë, filloi një shpresë për jetën dhe lirinë e afërt për popullatën e pambrojtur në Kosovë. Njëkohësisht filloi edhe tmerri dhe frika e popullsisë civile shqiptare, e cila mbeti nën mëshirën e forcave paramilitare serbe dhe ushtarako-policore.

Qysh në ditën e parë të bombardimeve të NATO-së caqet e ushtrisë serbe në Komunën e Gjilanit, popullata e pambrojtur shqiptare në shumicën e fshatrave të Karadakut si në Livoq i Ulët, Livoq i Epërm, Cerrnicë, Pasjak, Bresalcë, Përlepnicë, Shillovë, Malishevë, Uglarë, Pogragjë, Velekincë, Llashticë, Lladovë, Zhegër, etj. u urdhëruan nga forcat paramilitare serbe, që banorët shqiptarë t’i lëshojnë këto vendbanime.

Të gjitha këto data tashmë i mbanë mend mirë dëshmitari i asaj kohe Ukshin Ajdini. Siç rrëfen Hajdini për rajonipress edhe pse me kohë i ka dorëzuar të gjitha dëshmitë e vrasjes dhe plagosjes në lagjen “Qener Qeshme” asnjë veprim ligjor apo ndjekës nuk është ndërmarrë ndaj atyre që shkaktuan dhe urdhëruan këto vrasje .

Ajdini është i zhgënjyer në organet shqiptare hetuese të cilat ende vazhdojnë të bëjnë sehir edhe pse i kanë dosjet në sirtarët e tyre. “Unë nuk do të ndalem e as nuk do të dorëzohem së kërkuari drejtësi dhe do të deponojë padi në të gjitha instancat e mundshme gjyqësore. Edhe në EULEX do të deponojë dëshmi edhe pse ato janë të dorëzuara me kohë në UNMIK” shprehet Ajdini.
Ajdini thotë se e ka parë personalisht Vitomir Iliqin më 28 mars 1999 në ora 22.00 kur e ka shkrepur revolen me predhë ndriçuese, për t’i sinjalizuar forcat e ushtrisë serbe të cilat ishin të stacionuara në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, për gjuajtje nëpër shtëpitë shqiptare në lagjen e “Qenar Qeshmë” dhe në lagjen “Bregu i Djegur” në Gjilan.

“Shumë qytetarë të lagjes “Qenar Qeshmë” dhe “Zabelit të Sahit Agës”, janë dëshmitarë të cilët e kanë dëgjuar komandën ushtarake:
“Nishani” ( merr në shënjestër) dhe komandën tjetër “Pali” (zjarr). Gjuajtja e parë me granatë është bërë në shtëpinë e Shaip Zekës. Nga kjo gjuajtje është goditur dhoma e ndejës.

Fatmirësisht asnjë anëtarë i familjes nuk ishte në atë dhomë, pasi që në atë moment ata ndodheshin në oborrin e shtëpisë. Nga ky sulm, është dëmtuar një dhomë e shtëpisë së Shaipit, ku të gjitha tjegullat e shtëpisë kanë rënë në tokë. Përveç kësaj, në këtë sulm të ushtrisë serbe është plagosur djali i Shaip Zekës, Isa Zeka” rrëfen Ukshini.
Sipas tij në afërsi të shtëpisë së Shaipit, nga ky granatim janë plagosur rëndë Zyhrije Pireva (e lindur me 13.08.1978) dhe Fikrije Pireva (1981).

Familja Pireva menjëherë i marrin për t’i dërguar me automjetet e tyre privat në ambulanten e qytetit. Zyhrije Pireva ka vdekur në Spitalin e Gjilanit dhe është varrosur në varrezat e qytetit më 01.04.1999.

E dyta granatë është gjuajtur në shtëpinë time ku granata e ka kapur vetëm kulmin e shtëpisë. E treta gjuajtje e granatës është gjuajtur pranë shtëpisë së mixhës Ramë, ka pasur të plagosur.

“Gjuajtja e katërt është bërë në oborrin e mixhës Ramë, predha ka rënë në murin e oborrit para shtëpisë. Në dalje të derës kanë qenë në shtëpinë e mixhës Ramë, Ramadan Salihu është vra në vend, një copë e granatës e ka rrokur në kokë dhe të gjithë trutë ja ka qit në tokë” kujton Ukshini.

Hajdin Murtezi është plagosur rëndë, bashkë me të është plagosur mixha Ramë dhe e shoqja e tij që gjendet ende gjallë rrëfen Ukshini.

Mixha Ramë dhe Hajdin Murtezi kanë vdekur si pasojë e plagosjes prej granatimit.
Granata e pestë është gjuajtur te shtëpia e Shabanit të Uglarit. Granata e gjashtë prej forcave ushtarake serbe, përsëri është gjuajtur në shtëpinë e Xhemajl Ymerit, ku i ndjeri ishte i vrarë në vend. Kishte edhe të tjerë të plagosur, por nuk kanë guxuar të lajmëroheshin për shkak të policisë serbe!

Ukshin Hajdinit në këtë kohë i plagoset vëllai Hajdini i cili nga plagët e rëndë pas tre muajve vdes. “ Ishte i plagosur shumë rëndë prej granatimit, as fytyra nuk i shihej, as sytë e gjithë lëkura i kishte rënë dhe mishi prej copave të granatës e copave të betonit.

Kishte edhe copa të mëdha në tërë trupin e tij. Kishte dhimbje shumë, sikur kur e nxjerr prej zjarrit i djegur ishte prej flakës së granatës dhe copave. Ne nuk guxonim që ta dërgojmë në spital, shkaku se kishte ushtarë dhe polici serbe. Tentonin të na vrisnin dhe thoshin lypni ndihmë prej UÇK-së dhe NATO-s. Ne jemi detyruar ta thërrasim mjekun shqiptar në shtëpi për ndihmë mjekësore.

Ai ishte shtrirë në krevat dhe tërë kohën i kanë nxjerr nga trupi me pincetë copa të granatës, prej fytyrës, kokës dhe trupit deri në vdekje. Kanë mbetur shumë copa granate në trupin e tij dhe helmi i tymit të granatës ia dogji mushkëritë dhe organet e frymë marrjes. Vdiq në mënyrë më mizore, me plagë të rënda të granatimit të forcave ushtarake dhe policore serbe” kujton atë kohë Ukshini..

Ukshin Hajdini thotë se ka dhënë tërë dëshminë menjëherë pas luftës për vrasjet dhe plagosjet e Zyhrije Pireva (1978) , Ramadan Salihu (1950) , Xhemajl Ymeri (1938), Hajdin Murtezi (1944), Ramadan Azemi (1928) , Fikrije Pireva, Isa Zeka.
“Kurrë nuk jam pyetur as nga policët e as nga prokurorët vendor e as ndërkombëtarë. Këta prokurorët tanë një ditë do t`i gjykojë edhe historia për këtë neglizhencë dhe mos guxim për të ndihmuar dhe zbardhur të vërtetën”” tha ai./rajonipress/