UEFA: Euro 2020 në 13 shtete

UEFA: Euro 2020 në 13 shtete

UEFA: Euro 2020 në 13 shteteNjë kampionat europian të ndarë me 13 vendeve të kontinentit të vjetër nuk besoj se e keni imagjinuar. Por, politika pro vendeve të vogla e Mishel Platinisë vazhdon dhe UEFA vendosi që të jetë pikërisht kështu në Euro 2020.

Ndërsa vendet mikpritëse do të përcaktohen shtatorin e vitit të ardhshëm, të paktën dihet se nuk do të ketë as një dhe as dy vende organizatore, veçse plot 13. Apo, afërsisht 25 për qind e shteteve të Europës.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur edhe që dy gjysmëfinalet dhe finalja të luhen në të njëjtin qytet, pra logjikisht në të njëjtin stadium.

Duke zgjeruar kaq shumë gjeografinë e finaleve, UEFA ka mundësi të pretendojë për stadiume sa më të mëdhenj ku të luhen ndeshjet. Tashmë, impiantet duhet të kenë 50 000 vende e lart për ta fituar këtë të drejtë.

Platini sqaron me entuziazëm se kjo formulë është një mundësi e shkëlqyer për shumë vende që nuk do të mundeshin kurrë ta organizonin Europianin me skemat e vjetra.

Normalisht, edhe Shqipëria do t’i ketë shanset për të pasur të paktën një ndeshje në kryeqytetin Tiranë, por me kusht që të përfundojë stadiumi i ri kombëtar tashmë i pagëzuar “Kuqezi”.